Fermat familjare “ Çelësi i bujqësisë së qëndrueshme

620 0

Fermat familjare zënë rreth 70-80% të tokës bujqësore dhe sigurojnë jetesën dhe ushqimin për shume familje në mbarë botën, duke u kthyer në një faktor shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik. 70-80-% e ushqimit botëror prodhohet pikërisht në fermat familjare. Më shumë se 90% e këtyre fermave drejtohen nga individë ose nga familje dhe bazohen kryesisht në punën e përbashkët të anëtarëve të familjeve.

Ku janë të përqendruara fermat familjare në botë?

Sipas FAO Kina kryeson listën. 35% të fermave familjare botërore janë të përqëndruara në Kinë. India renditet e dyta me 24%, në një listë që vijon me Azinë 15%, Sahara, Afrikë me 9%, Evropë dhe Azi Qendrore me 7%, Amerikë Latine dhe Karaibe 4%, Lindje e Mesme dhe Afrikë Veriore 3% e në pjesën tjetër të botës me 3%.

Fermat familjare janë vitale për ekonomitë lokale. Ato përfaqësojnë një mundësi shumë të mirë për të zhvilluar ekonomitë lokale, veçanërisht kur ndërthuren me politika specifike që synojnë mbrojtje sociale dhe mirëqenie të komuniteteve.

Shqipëri – 90% e bujqësisë ferma familjare

Në Shqipëri fermat familjare janë rimëkëmbur pas viteve të kolektivizimit të detyruar të kooperativave bujqësore. Sipas Ministrit të Bujqësisë Z. Edmond Panariti, sot në Shqipëri, më shumë se 90 % e bujqësisë është kryesisht e bazuar në fermat familjare që kanë një dimension ekonomik dhe social. Bujqësia familjare në Shqipëri është e orientuar që nga prodhimi familjar i mbijetesës e deri tek orientimi për qëllim tregtimi.
Ministri Panariti e cilëson fermën familjare si kontribuese kryesore në sigurimin e ushqimit në vendin tonë. Sipas tij këto ferma janë thelbësore për përdorimin e qëndrueshëm dhe menaxhimin e barabartë të burimeve natyrore dhe biodiversitetit. Fermat familjare luajnë rol kryesor në zhvillimin e zonave malore në Shqipëri. Ministri Panariti thekson se ruajta e bilancit gjatë krizës është siguruar pikërisht nga fermat familjare. “Bazuar në bujqësinë familjare, zonat rurale kanë qenë më rezistente ndaj krizave, sepse fermat familjare kanë përshtatshmëri më të mire dhe vazhdimësi në rritjen e prodhimit edhe kur ka krize,” thotë ai. Fermat familjare ofrojnë zgjidhje për problemin e papunësisë, të cilën dhe qeveria shqiptare e sheh si një mundësi për të krijuar më shumë vende pune dhe për të shmangur lëvizjen e popullsisë drejt qyteteve. Minstri Panariti lidh fermat familjare me ruajtjen e strukturës shoqërore – duke siguruar vazhdimësinë e historisë, ruajtjen dhe pasurimin e traditës, identitetet lolale si dhe trashëgiminë kulturore. Së fundmi ai shprehet se fermat familjare luajnë rol në stabilitetin politik të vendit tonë kryesisht rural.

Qeveria shqiptare për të kapërcyer vështirësitë dhe sfidat që pengojnë zhvillimin e sektorit bujqësor në vend po miraton politika të favorshme bujqësore për të siguruar prodhimin vendas, për të ruajtur tokën bujqësore dhe për të luftuar kundër degradimit të tyre.

Cilat janë problemet kryesore?

Përmirësimi i sistemeve të ujitjes dhe mbrojtja nga fatkeqësitë natyrore si përmbytjet. Inkurajimi dhe zhvillimi i kapaciteteve të brendshme për të organizuar më mirë menaxhimin e ujit dhe tokën pjellorë të vendit tonë. Ministri Panariti shprehet se suke pasur parasysh kushtet klimaterike shumë të favorshme , burimet ujore dhe frymën familjare në vendin tone, kemi potencial të konsiderueshëm, ndaj qeveria do të punojë për të shfrytëzuar në mënyrë efektive këtë potencial, nëpërmjet bujqësisë familjare .

Masat në favor të zhvillimit të fermave familjare në Shqipëri

Një masë e rëndësishme është krijimi i një sistemi të pagesave direkte për fermerët, sektorët dhe rajonet që kanë nevoja të veçanta. Ministri Panariti thotë se orientimi drejt bujqësisë së qëndrueshme është një fakti i padiskutueshëm dhe shton se një e treta e modeleve të subvencionit është e lidhur me masat për të ruajtur mjedisin dhe biodiversitetin . Mbështetja për zhvillimin e produkteve vendase cilësore, produkteve bio e organike dhe agroturizmit, është e rëndësishme në zhvillimin e fermave familjare. Masat për diversifikimin , modernizimin , trajnimin dhe transferimin e njohurive janë të një rëndësie të veçantë për fermat familjare.

Po ashtu edhe forcimi i organizatave prodhuese për të lehtësuar qasjen në treg, për t’u dhënë fermerëve mjetet që të bëhen lojtarë të mëdhenj, për të siguruar ekuilibrin e tregut dhe të ardhurat për të vazhduar këtë model të bujqësisë. Ministri Panariti shprehet se qeveria duhet të sigurohet që përpjekjet që po kryhen të sjellin risi në sektorin e bujqësisë në tërësi. Ai shton se “që të arrihet sukses ne ambiciet e qeverisë për të transformuar sfidat në mundësi, duhen përpjekje të përbashkëta për forcimin e tregut tonë , bashkëpunim dhe integrim rajonal, si dhe bashkëpunim dhe ekspertizë nga vendet më të zhvilluara.”

Fermat familjare janë thelbësore për prodhimin e qëndrueshëm bujqësor. Nga veprimtaria bujqësore në botë qarkullon 70% e ujit në rang global, sigurohet biodiversiteti dhe prodhohen vlera për ekosistemin. Dhe fermat familjare janë një pjesë e rëndësishme dhe me rol kryesor në zgjidhjen e problemit të urisë në Botë.