Kërpudhat – Vlerat dhe Surprizat e Produkteve të Pyllit

773 0

Kërpudhat janë një nga ushqimet më të mira që mund të gjesh në frigoriferin e një dashamirësi të kuzhinës. Kërpudhat mund t’i gatuash në supë, mund t’i fusësh në oriz ose makarona. Kërpudhat janë të vetmet ushqime joshtazore që kanë shijet e mishit. Në botë ekzistojnë 10 mijë lloje kërpudhash. 50% e tyre janë të pangrënshme. 25% janë të ngrënshme. 20% shkaktojnë sëmundje. 4% kanë shijen më të shkëlqyer që mund të provosh dhe 1% janë vdekjeprurëse.
Kërpudhat shqiptare nuk mbulojnë aspak nevojat e tregut me këtë produkt dhe mbeten më tepër pasion i mbledhësve se sa aktivitet tregtar. Tregu shqiptar dominohet nga importet e kërpudhave nga Italia dhe Greqia me një çmim për konsumatorin që kap 450-500 Lekë për kilogram në bazë të të dhënave nga Tregu Agro-Ushqimor i Tiranës.

Përse janë të mira kërpudhat?

Në mungesë të dritës së diellit dhe të suplementëve që mund të të ndihmojnë, kërpudhat janë mënyra më e mirë për të ngritur nivelet e vitaminës D. Kërpudhat janë gjithashtu burimi i vetëm vegjetarian i vitaminës D (ergosteroli që gjendet tek kërpudha kthehet në vitaminë D kur ekspozohet në dritën e diellit). Kërpudhat janë një burim i mirë i vitaminës B që na ndihmon të marrim energji duke shpërbërë proteinat, yndyrnat dhe karbohidratet. Për më tepër kjo vitaminë luan një rol thelbësor për sistemin nervor. Betaglukanët që gjenden tek kërpudhat fuqizojnë imunitetin dhe japin rezistencë më të lartë ndaj alergjive. Seleniumi dhe ergothioneine që gjenden tek kërpudhat mund të ndihmojnë në mbrojtjen e qelizave nga dëmet e shkaktuara prej sëmundjeve kronike.

Konsumatorët zakonisht blejnë kërpudha të kultivuara. Ata që njohin kërpudhat kanë fatin të hanë kërpudha të egra, shija e të cilave është e pakrahasueshme. Cilat janë disa prej llojeve më popullore të kërpudhave të ngrëshme. AgroWeb ka përgatitur një listë të kërpudhave të ngrënshme dhe të shëndetshme.
Champignon. Këto kërpudha janë të bardha dhe njihen ndryshe si “butonat e bardhë.” Shija e tyre është e mirë dhe përdoren në shumë gatime. Aroma e kërpudhave Champignon bëhet më e fortë gjatë gatimit.

Crimini. Kërpudhat Crimini kanë një ngjyrë pak më të errët dhe shije pak më të lehtë

Portobello. Kapelja e këtyre kërpudhave është disi më e madhe. Këto kërpudha kanë një ngjyrë kafe të errët. Shija e tyre është e fortë dhe i përngjan asaj të mishit.

Shitake dhe maitake. Këto njihen ndryshe si kërpudhat çudibërëse. Rriten në pemë. Mjekësia tradicionale kineze i ka përdorur ato për më shumë se 2000 vjet. Këto kërpudha kanë një aromë druri ndërkohë që gjatë gatimit shija e tyre i ngjan mishit.

Enoki. Kërpudhat Enoki janë të vogla. Kanë një shije të lehtë. Gjatë ngrënies kërpudhat Enoki kërcasin në përtypje. Këto kërpudha mund t’i përdorni në sallata, panine dhe supa.

Oyster. Kërpudhat Oyster kanë ngjyrë gri, por ndonjëherë me nuanca të të verdhës së zbehtë deri tek bluja. Shija e këtyre kërpudhave është mjaft delikate.

Beech. Këto kërpudha janë të vogla. Kapelja e tyre është në ngjyrat e të bardhës dhe të kaftës. Shija e tyre është kryesisht e ëmbël dhe i ngjan arrës.

Vlerat shëndetësore të kërpudhave ndryshojnë në varësi të mënyrës së gatimit dhe temperaturës së ruajtjes. Sa më e ngrohtë të jetë temperature e ruajtjes aq më i shpejtë është proçesi i çngjyrosjes së kërpudhës. Ky proçes nënkupton që kërpudhat po humbasin shpejt vlerat e tyre shëndetësore. Nëse kërpudhat dëshironi t’i ruani nga 6 në 8 ditë atëherë duhet t’i ruani në një temperaturë prej 3 gradë Celcius në frigorifer.

Kërpudhat e llojit crimini ofrojnë një mbështetje unike për sistemin tonë imunitar. Sipas të dhënave këto kërpudha ofrojnë ndihmë në shuarjen e inflamacionit. Kërpudhat krimini ofrojnë ndihmë kundër sëmundjeve kardiovaskulare. Ekstraktet e kërpudhave crimini së bashku me oyser, shiikate dhe maitake apo edhe Champignon ndikojnë në zhbllokimet e aortës, dëmet që i shkaktohen asaj dhe rreziqet që asociohen me qarkullimin e gjakut. Gratë e rrezikuara nga kanceri i gjirit që stimulohet nga hormonet duhet të shtojnë kërpudhat crimini në dietën e tyre. Këto kërpudha kanë një acid të yndryshëm të veçantë në përmbajtjen e tyre që zvogëlon prodhimin e estrogjenit. Prezenca e këtij acidi është shumë e çuditshme për faktin se atë e gjejmë kryesisht në produkte si qumështi, djathi dhe produktet shtazore.
Kërpudhat kanë në përmbajtjen e tyre selenium, zink dhe mangan. Të tre këto minerale janë antioksidantë të fuqishëm të cilat i bëjnë mirë zemrës dhe e mbrojnë atë nga një sërë sëmundjesh.

Si të përzgjidhni dhe ruani kërpudhat

Kur të shkoni në pazar, kërkoni për kërpudha të forta të pastra, pa njolla dhe me ngjyrë kafe. Kërpudhat e rrudhosura ose që kanë njolla duhen anashkaluar. Zgjidhni variantet e çertifikuara që ofrojnë më tepër siguri. Mënyra më e mirë për të ruajtur kërpudhat është t’i ruani ato në frigorifer të mbështjella në një cohë të njomë, ose në një enë qelqi të mbuluara me një cohë të lagësht. Kërpudhat nuk duhen lënë pirg, pranë njera tjetrës. Sa më pak kontakt të kenë kërpudhat me njëra tjetrën aq më të freskëta do të qëndrojnë. Ndaj mund të përdorni cohë të njomë, letër kuzhine për të ndarë kërpudhat nga njëra tjetra dhe për t’i vendosur me rradhë pas njëra tjetrës. Në momentin kur sipërfaqja e kërpudhës është e rrëshqitshme atëherë nuk është më e freskët. Kërpudhat e paketuara që blihen në market zakonisht ruhen në frigorifer për 3 deri në 7 ditë por gjithçka varet nga temperature./AgroWeb.org/