Fillon Mbrojtja e Masiveve të Gështenjave Në Veri Të Shqipërisë

620 0

Zona Veriore e Shqipërsië Renditet e para përsa i përket sipërfaqeve të pemës së gështenjave.

Por dy vitet e fundit këto bimë janë prekur nga një dëmtues që po shkatron prodhimin në masën më të madhe.

Diçka e tillë ka sjellë edhe shqetësimin e fermerëve të zonës.

Masivi i gështenjave që shtrihet përgjatë Malësisë së Madhe është i pari në Shqipëri nga ku ditëve të fundit ka nisur luftimi i grenxës së zezë.

Specialistët e bujqësisë thonë se ky insekt ka infektuar pemët vitet e fundit duke nxitur një reagim.

Ditët e fundit ata kanë gjetur një zgjidhje e cila vjen nga një laborator evropian.

Bëhet fjalë për një tjetër insekt i cili ndihmon në eliminimin e grenxës së zezë.

Përvoja e vendeve të rajonit, ne veçanti e shtetit italian, ka treguar se luftimi në mënyrë biologjike i kësaj grenxe është zgjidhja më e mirë.

Kjo mënyrë përjashton përdorimin e pesticideve duke e lënë bimën pa mbetjet kimike të cilat mund të ndikojnë tek prodhimi.

Kultivimi i gështenjave në plantacione është një nga burimet e ekonomisë për këto zona.

Sipas të dhënave gjatë 2019 në zonën e Reçit në Malësinë e Madhe, prodhimi ra me 15%, duke krijuar një ngërç edhe tek eksporti.

Pikërisht në këtë fshat verior ka nisur edhe ky program kombëtar për mbrojtjen e masiveve të gështenjave.

Si fillim do të trajtohen rreth 450 hektarë duke u synuar që brenda vitit të mbulohen 1000 hektarë.

Ndërkohë Shqipëria ka një sipërfaqe rreth 2400 hektarë të mbjella me gështenja të cilat kërkojnë këtë trajtim.

Eksportet e këtij produkti arrijnë deri në 6 mijë ton në vit duke mbështetur kështu financiarisht një numër të lartë familjesh./Burimi: VOA