Fiq Të Pjekur Me Mjaltë Me Ëmbëlsi Të Veçantë

740 0

Të konsideruara si një nga pemët më të vjetra në botë, fiqtë datojnë që në dokumentet e para historike.

Mendohet se origjina e tyre është në Lindjen e Mesme dhe në Mesdhe ku kishin një rëndësi aq të veçantë, sa që grekët nxorrën edhe një ligj që të ndalonte eksportimin e frutave.

Vlerat Ushqyese Të Fiqve

Fiqtë janë të pasur me sheqerna natyrale, minerale dhe fibra të tretshme.

Ato janë të pasur me potasium kalcium, magnesium, hekur si dhe janë një burim i mirë me antioksidantë, me vitamin A, E dhe K që kontribuojnë në shëndet dhe mirëqenie.

Rreth 100 gramë fiq të thatë kanë afërsisht rreth 249 kalori, 3.3 g proteina, 0.9 g yndyrna, 68 g karbohidrate dhe 5.6 g fibra.

Ndërkohë që 100 gram fiq sezoni kanë afro: 80 kalori, 1.3g proteina, 0.3g yndyrna, 20.3g karbohidrate dhe 2.2g fibra.

Fiqtë shpesh rekomandohen për të ushqyer dhe tonifikuar stomakun, pasi vepron si një laksativ natyral për shkak të nivelit të lartë të fibrave që përmban.

Duke qenë se janë të pasur dhe me shumë fibra, fiqtë janë një ushqim shumë i dobishëm për t’u përfshirë në dieta, sidomos për ata që duan të bien në peshë, duke qenë se ushqimet që janë të pasur me fibra të lenë më gjatë ndjesinë e ngopjes.

Fiqtë gjithashtu përmbajnë dhe prebiotikë, që ndihmojnë bakterjet e mira që ndodhen në stomak, duke përmirësuar kështu aparatin tretës.

Fiq Të Pjekur Me Mjaltë

Receta e mëposhtme është shumë e lehtë në përgatitje dhe e magjishme në shije.

Fiqtë e pjekur me mjaltë mund t’i servirni me akullore me vanilje.

Përbërësit:

15 fiq të ndarë në dysh

Treçerek filxhan çaji me mjaltë,

1 lugë gjelle me lëng limoni,

Pak kripë deti.

Përgatitja:

Ndizeni furrën në temperaturë maksimale.

Në sipërfaqe të tavës vendosni një letër gatimi dhe sipër saj shtroni copat e prera të fiqve dhe spërkatini me mjaltë.

Piqini për 20 minuta deri sa të zbuten, të lëshojnë bulëza në sipërfaqe dhe të karamelizohen.

Hiqeni tavën nga furra dhe spërkatini fiqtë me lëng limoni dhe pak kripë.

Servirini fiqtë veçmas ose duke i shoqëruar me akullore. /AgroWeb.org