Importet e ushqimeve me aflatoksinë po shkaktojnë kaos në vendet e Bashkimit Evropian. Lista e ushqimeve të prekura nga kjo substancë toksike që arrijnë të futen në këto vende është e shumëllojshme. Shumica prej këtyre ushqimeve të rrezikshme vijnë jashtë vendeve të Bashkimit Evropian, së fundmi kryesisht nga Turqia.
Në 27 Tetor 2016, pra jo më larg se dje, autoritetet doganore të Austrisë bllokuan hyrjen e disa ngarkesave me LAJTHI me prejardhje nga Turqia. Autoritetet Austriake e vlerësuan këtë rrezik ndaj konsumatorit si mjaft serioz, pasi ekzaminuan disa prej ngarkesave dhe zbuluan praninë e aflatoksinës në kategorinë e mykotoksinave sipas në vlerat : B1 = 11.3; Tot. = 13.37 µg/kg – ppb. Mostrat e ngarkesës u analizuan në 25 Tetor 2016.
Në 27 Tetor 2016, Danimarka urdhëroi ndalimin dhe sekuestrimin e disa ngarkesave me FIQ TË THATË me prejardhje nga Turqia të cilat rezultuan të kishin sasi të larta aflatoksine në masën 22 mikrogramë për kilogram. Sipas burimeve AgroWeb.org, ngarkesat Turke arritën të sekuestroheshin nga Autoritetet e Kontrollit Daneze përpara se të hynin në tregun vendas.
Në po të njëjtën datë, Autoritetet Gjermane arritën të ndalonin dhe sekuestronin produkte të tjera me origjinë nga Turqia. Ngarkesat me FISTIKË rezultuan të kishin sasi të lartë ndotjeje me aflatoksinë në një sasi prej 20.3 mikrogramë për kilogram. Thuhet se rrufeja nuk bie dy here në të njëjtin vend, por kjo nuk vlen për rastin e eksporteve turke në Gjermani.
Në po të njëjtën ditë, një tjetër ngarkesë me FIQ TË THATË që synonte të futej në tregun Gjerman u ndalua për shkak të nivelit të lartë të ndotjes me aflatoksinë. Gjermania arriti të kryente tre bllokime ngarkesash nga Turqia gjithsej në vetëm një ditë sipas kërkimit t&eeuml; kryer nga AgroWeb.org. FISTIKË TË PJEKUR E TË KRIPOSUR, synonin të futeshin në tregun gjerman dhe rezultuan përsëri me aflatoksinë përtej nivelit të lejuar nga autoritetet Evropiane.
Aflatoksina, në të vërtetë është një grup përbërësish toksikë që prodhohet nga myku në ushqim. Sipas burimeve të AgroWeb.org, ajo shkakton dëme në mëlçi dhe kancer. Kjo nuk është hera e parë që ngarkesat me ushqime që vijnë nga Turqia janë të ndotura me aflatoksinë, gjë që nxjerr në pah cilësinë e dobët dhe standardet e rrezikshme që aplikohen në magazinimin e produkteve ushqimore.
Të gjitha autoritetet Evropiane të kontrollit ushqimor kanë urdhëruar rikthimin në Turqi të ngarkesave me fruta të thata me aflatoksinë sepse këto produkte nuk mund të shiten në asnjë mënyrë në tregun e Bashkimit Evropian. Shqetësimi i rradhës dhe më kryesori që ngre AgroWeb.org në këto momente është mbi destinacionin e ardhshëm të produkteve të ndotura Turke që Bashkimi Evropian i ka refuzuar me këmbëngulje. A do të shkatërrohen këto ngarkesa me ushqime me toksinë, apo do të dërgohen në vende ku sistemi i kontrollit dhe mbrojtjes së konsumatorit lë për të dëshiruar.
Çfarë mund të bëjnë konsumatorët vendas?
Praktikisht, të gjitha produktet që Turqia shet në vendet e Bashkimit Evropian futen edhe në tregun shqiptar dhe për fat të keq konsumatorët nuk mund të gjejnë garanci se do t’i qëndrojnë larg rrezikut.
Zgjidhja është e thjeshtë. Blini produkte të prodhuara në Shqipëri duke ndjekur principin e ushqimit me “kilometrazh zero”, që është i prodhuar në vend, është i freskët dhe cilësor. Tregu vendas ofron shumë mundësi që konsumatori të jetë i sigurt veccanërisht në rastin e ushqimeve të thata. Ju mund të blini sasi të mëdha ushqimesh të thata që kushtojnë më lirë dhe mbi të gjitha janë më të sigurt në aspektin e pastërtisë nga toksinat.
Është shumë e rëndësishme të dini që tregu më i madh i vendit, Tregu Agro-Ushqimor i Tiranës sot ofron 100 përqind fruta dhe perime shqiptare që janë të rritura në vend. Kliko për produktet shqiptare.
Bazuar në kërkimin e AgroWeb.org, arrat e freskëta të kultivuara në Peshkopi shiten me 400/kg. Bajamet e Beratit kushtojnë 250 Lek/kg, fiqtë e thatë të Beratit kushtojnë 300 Lek/kg. Gështenjat nga Tirana, Dibra dhe Korça kushtojnë vetëm 200 Lek/kg. Lajthitë e Beratit shiten me 600 Lek/kg, ndërsa mollët e Korçës janë shumë të përballueshme financiarisht duke qenë se kushtojnë 40-50 Lek/kg. E njëjta gjë vlen për shegët e Lushnjës të cilat mund t’i blini për 100 Lek/kg.
Koha është e duhur që tani të blini produkte të prodhuara në vend./AgroWeb.org