Shqipëria që dua

232 0

Unë jam Liana Suleymanova dhe vij nga Republika e Bashkortostanit, në Rusinë Qendrore, pikërisht në perëndim të Maleve Urale. Për të parën herë erdha në Shqipëri në vitin 2010 dhe mënjëherë e dashurova këtë vend magjepës dhe mikpritës Ballkanik, natyrën e tij të virgjër dhe ushqimin marramendës, por ajo që më tërhoqi edhe me shumë ishte historia e tij, prej fiseve ilire te sundimi otoman, nga diktatura komuniste në një shtet modern demokratik në rrugëtimin për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

Gjatë sudimeve të mia të Masterit në Central European University në Budapest dhe në Akademinë Diplomatike në Vienë, pata rastin të studioj në detaje historinë e Shqipërisë, veçanërisht periudhën nga sistemi komunist në demokraci. Paralelizmi mes dy periudhave më zgjoi interesin në lëmin e kërkimit, duke e shndërruar në një fushë ekspertize për mua.

Shqipëria është një vend unik, i cili ka kaq shumë për të ofruar. Fatkeqësisht, shpesh mbetet një vend i keqkuptuar. Perceptimi mbi Shqipërinë është formësuar ndër breza nga shtresëzime konceptesh dhe steriotipesh të gabuara. Është e vërtetë që Shqipëria ka përjetuar regjimin më të ashpër dhe më izolues në histori dhe në vitin 1967 u shpall shteti i parë ateist në botë. Arsyet e këtij perceptimi të gabuar janë pasojë e të shkuarës komuniste ashtu si edhe e historisë së ditëve të sotme, kur një numër shumë i madh shqiptarësh të cilët jetojnë jashtë kufijve të vendit nuk kanë arritur të promovojnë imazhin e saj të vërtetë.

Sa herë u tregoj të tjerëve që jetoj në Shqipëri, ata menjëherë më pyesin se çfarë bëj këtu dhe a është Shqipëria një vend i sigurtë? Është momenti kur unë nis e u tregoj foto të bregdetit jugor, me pamje që i magjepsin. E megjithatë, Shqipëria ime është shumë më tepër sesa vetëm plazhet e saj të bukura.

Shqipëria ime është ajo ku besimet fetare bashkëjetojnë paqësisht dhe ku njerëzit festojnë çdo festë festare me të njëjtin respekt dhe entuziazëm, ku asnjëherë nuk sheh njerëz të grinden se cili Zot është më i madhi.

Shqipëria ime është vendi që eksporton produkte natyrale organike. Ishte një surprizë shumë e bukur për mua të shihja në supermarketet e Rusisë, mollë e domate shumë cilësore të eksportuara nga Shqipëria.

Shqipëria ime është vendi ku jetohet një jetë të shëndetshme, kaq shumë të dëshiruar dhe e reklamuar në mediat perëndimore. Çmimet e frutave dhe perimeve organike janë mëse të përballueshme dhe dieta mesdhetare përfaqësohet këtu më së miri.

Shqipëria ime është ajo ku turistët mund të përjetojnë pushime të të gjitha llojeve. Mund të kalosh pushimet në plazhet e Ksamilit ose duke u ngjitur Alpeve shqiptare, të vizitosh kantinat e verës Çobo (siç sugjerohet në tendencat e fundit të agro turizmit) ose të bësh rafting përgjatë kanioneve të Osumit e kështu me rradhë në një listë të gjatë mundësish. Çfarëdo që do të zgjedhësh të bësh, nuk do të zhgënjehesh.

Shqipëria ime është vendi ku takohen shumë kultura dhe historia flet vetë. Për një person të apasionuar pas historisë si unë, të ecësh përgjatë rrugëve të një qyteti me mbi dy mijë vjet histori si Berati, është një eksperiencë e pashlyeshme. Për më tepër të kundrosh gjurmët e lëna në periudha të ndryshme kohore, si koha e Ilirëve, koha e sundimit turk, e Mbretit Zog apo e regjimit komunist është padyshim diçka mbresëlënëse.

Së fundmi Shqipëria ime është vendi ku njerëzit janë mendjehapur ndaj ndryshimeve. Me pak fjalë, kjo do të thotë se Shqipëria është e hapur ndaj inisiativave të reja që vijnë nga brenda apo nga jashtë vendit. Dhe nuk e kam fjalën vetëm për inisiativa dhe reforma të madha të cilat e çojnë vendin në afër standardeve të demokracisë, por edhe për nismat lokale të vogla, por jo më pak të rëndësishme, si ato në fushat e bujqësisë dhe të mjedisit.

Në agroweb.org, nisem të ndaj përshtypjet dhe mendimet e mia për bujqësinë e qëndrueshme, klimën, turizmin ashtu siç edhe do të përpiqem të vëzhgoj efektet e demokratizimit në sektorin bujqësor, duke analizuar nismat e reja në këtë sektor, duke gjurmuar historinë e fushave të ndryshme bujqësore, ashtu si edhe duke prezantuar mundësi dhe projekte të reja të cilat mund të zbatohen këtu, në Shqipërinë time.

 

Agroweb sjell Shqipërinë me sytë e një Ruseje që jeton në Tiranë prej dy vitesh. Liana Suleymanova ka studiuar për histori në Universitetin Amerikan në Bullgari ku u njoh me Shqipërinë, e shkuara e të cilës e tërhoqi në mënyrë të ve&ccedilccedil;antë. Interesi për këtë vend u zhvillua më tej gjatë studimeve master në Central European University në Budapest dhe në Akademinë Diplomatike në Vienë, ku ajo studioi në detaje historinë e Shqipërisë, veçanërisht periudhën nga sistemi komunist në demokraci.