Frutat dhe Perimet që Nxisin Shëndetin Mendor

201 0

Të kesh shëndet të plotë, do të thotë të kesh një trup, mendje dhe shpirt të shëndetshëm. Këto janë tre përbërësit e një jete të ekuilibruar që ju mbajnë të lumtur dhe të fortë. Në shumicën e kohës, gjithë vëmendja jonë fokusohet tek gjendja fizike, ndërkohë që shëndeti mendor qëndron në prapavijë.

Për tabu a për ndrojë, ende njerëzit e kanë të vështirë të flasin për gjendjen e tyre mendore. Në kohët e sotme, me nivelet në rritje të depresionit, ankthit dhe stresit, është shumë e rëndësishme të flasim për gjendjen mendore, jo vetëm për të rritur ndërgjegjësimin, por edhe për të marrë masat e duhura që “mendja të mos na ikë.” Gjithçka nis me një ushqim të ekuilibruar dhe një stil jetese të shëndetshëm.

Të ushqyerit luan një rol të rëndësishëm në mirëqenien e përgjithshme aktuale, por edhe në të ardhmen. Një ushqim i shëndetshëm parandalon shumë probleme shëndetësore siç janë: obeziteti, diabeti i tipit dy, sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru.

Të dhënat e AgroWeb.org tregojnë se konsumi i rregullt i frutave dhe perimeve është tejet i dobishëm për shëndetin tonë mendor.

Një studim i fundit i kryer nga Departamenti i Psikologjisë në Universitetin e Otagos zbuloi se konsumi në rritje i frutave dhe perimeve mund të përmirësojë mirëqenien psikologjike në më pak se dy javë.

Studiuesit zbuluan që të rriturit që konsumonin fruta dhe perime shtesë për 14 ditë më rradhë, përjetuan një nivel në rritje të motivimit dhe gjallërisë.

Ekspertët e shëndetit shpjegojnë se një dietë e shëndetshme përbëhet nga të paktën dy filxhanë çaji me fruta dhe tre filxhanë me perime në ditë. Në studimin e lartpërmendur u përfshinë 171 nxënës të moshave 18 dhe 25 vjeç. Ato u ndanë në grupe dhe u mbajtën nën vëzhgim për 2 javë.

Një grup kishte një zakon të pandryshuar të të ngrënit. Grupi tjetër konsumoi dy racione shtesë frutash dhe perimesh të freskëta (përfshirë karrota, kivi, mollë dhe portokalle) në ditë. Këta të fundit çdo ditë merrnin edhe nga një mesazh kujtues që të konsumonin fruta dhe perime.

Pjesëmarrësit në studim, ishin subjekt i një vlerësimi psikologjik që përfshinte humorin, gjallërinë, motivimin, simptomat e depresionit, ankthit dhe tregues të tjerë të shëndetit dhe mirëqenies mendore.

Studiuesit zbuluan se të rinjtë që ishin furnizuar me fruta dhe perime shtesë, kishin konsumuar shumicën e këtyre produkteve (3.7 racione në ditë) për 2 javë. Ata kishin përjetuar përmirësime në mirëqenien e tyre psikologjike. Në veçanti, këta të rinj kishin vërejtur përmirësime në gjallëri, motivim dhe përqendrim. /AgroWeb.org