Gaforret shqiptare që nuk e arrijnë tregun

2k 0

Gaforrja është një ushqim mjaft popullor në mesin e thesareve të detit të preferuara nga shqiptarët. Nga ana tjetër ajo ofron një sërë vlerash të mrekullueshme shëndetësore duke përfshirë aftësinë për të përmirësuar funksionet e trurit, forcuar kockat, fuqizuar sistemin imunitar, stimuluar qarkullimin e gjakut dhe pastruar trupin.

Gaforret janë një nga krijesat më të njohura të detit. Në botë ekzistojnë qindra e mijëra specie gaforresh, por vetëm disa prej tyre shfrytëzohen për ushqim dhe akoma më pak prej tyre kultivohen në mënyrë të kontrolluar. Portunus trituberculatus është lloji i gaforres që konsumohet më shumë në botë. Mbi 300,000 tonë gaforre të këtij lloji kapen çdo vit, duke përfaqësuar 20% të të gjitha gaforreve të kapura dhe konsumuara në total.

Në Shqipëri, gaforret janë të shumë kërkuara nëpër të gjitha restorantet e peshkut, por shumë pak prej tyre gjenden në treg. Arsyeja është e thjeshtë – peshkatarët e kanë të vështirë të shesin gaforret në krahasim me peshqit dhe kanë tendencën t’i hedhin ato në habitatin e tyre natyral. Kapja e gaforreve kërkon teknikë dhe talent të veçantë ndaj plotësimi masiv i nevojës së konsumatorit për gaforre të freskët deti është shumë i vështirë. Për sa kohë prezenca e gaforres në tryezat familjare është diçka e rrallë dhe kërkesa për to vjen vetëm nga restorantet, kapja e gaforreve është një aktivitet i neglizhuar biznesi, ndonëse një pjatë linguini me salcë gaforresh është një recete për të lëpirë gishtat.

Shijimi i gaforres kërkon gjithashtu një taktitë të veçantë. Skeleti i saj duhet thyer dhe pastaj shpërbërë për të shtënë në gojë tulin e bardhë dhe të butë. Tek gaforret e mëdha ky tul gjendet në sasi befasuese. Tuli i gaforres gjendet i shpalosur në shumë menu në mbarë botën, por duhet të dini që përveç shijes, gaforrja ofron një sërë yndyrnash të nevojshme, ushqyes dhe minerale që i bëjnë mirë trupit. Duke nisur që nga seleniumi dhe acidet yndyrore Omega-3, proteinat dhe vitamina B, gaforrja është gjëja më e mirë që mund t’i shtosh dietës. Më poshtë mund të lexoni më shumë mbi vlerat e veçanta të gaforres që AgroWeb ka zbërthyer për ju.

Shëndeti i kockave: Fosfori është një nga mineralet që gjendet shpesh në trupin e njeriut. Është një element thelbësor për kockat dhe dhëmbët. Për fat të mirë gaforret kanë një përqendrim të lartë të fosforit në tulin e tyre, duke e bërë atë një ushqim të nevojshëm për ata që duan kocka të forta. Nëse rrezikoheni nga osteoporoza ose po plakeni, pasja e një jete aktive dhe ngrënia e ushqimeve të pasura me fosfor është shumë e rëndësishme.

Fuqizon aktivitetin mendor: Falë ushqyesve të shumtë përfshirë bakrin, vitaminën B2, seleniumin dhe acidet yndyrore Omega -3, gaforrja është e mrekullueshme për përmirësimin e aktivitetit mendor. Duke përforcuar mielinën dhe mbrojtur sistemin nervor, elementët e gaforres zvogëlojnë inflamacionin dhe çlirojnë nervat nga bllokimet e ndryshme. Ky kokteil elementësh fantastikë të gaforres e bëjnë atë perfekte për ta konsumuar çdo javë ose muaj.

Mbron zemrën: Tuli i gaforres është i pasur me acide yndyrore Omega-3. Shumë njerëz mendojnë që yndyrnat janë të këqija dhe duhen mbajtur larg, por Omega-3 janë heroinat në mes yndyrnash. Ato ekuilibrojnë nivelet e kolesterolit, mbrojnë nga infeksionet në gjithë trupin, ulin tensionin e gjakut, mbajnë zemrën larg çdo presioni, dhe parandalojnë zhvillimin e aterosklerozës. Një gjë e tillë ul rreziqet nga ataku në zëmër.

Eliminon inflamacionin: Në trupin e njeriut gjenden shumë minerale dhe ushqyes që luftojnë inflamacionin përfshirë acidet yndyrore Omega-3, bakrin dhe seleniumin. Të treja gjenden tek tuli i gaforres. Nëse vuani nga artriti, apo inflamacionet në sistemin gastrointestinal, atëherë mos hezito të ndalosh në dyqanin e parë të peshkut dhe të marrësh furnizimin e duhur, gjithmonë nëse ka.

Mbron imunitetin: Sistemi imunitar ka nevojë për ndihmë sepse çdo ditë ai sulmohet nga patogjenë dhe virusë. Seleniumi stimulon aktivitetin e sistemit imunitar dhe shërben edhe si antioksidant për ta mbrojtur organizmin nga sëmundjet kronike. Antioksidantët zbulojnë dhe neutralizojnë radikalet e lira që shkaktojnë mutacion të qelizave. Seleniumi gjendet në sasi domethënëse tek gaforret. Këto të fundit janë të pasura me riboflavin që rrit prodhimin e antioksidantëve në trup.

Pastron trupin: Sistemi ynë imunitar nuk ia del dot i vetëm. Mëlçia dhe veshkat janë dy organe të rëndësishme për pastrimin e trupit. Nivelet e fosforit që gjenden tek gaforret përmirësojnë funksionet e veshkave dhe përshpejtojnë largimin e toksinave nga trupi duke përmirësuar efikasitetin e përgjithshëm të metabolizmit.

Paralajmërim: Përfitimet nga gaforret janë të shumëfishta por është e rëndësishme të mbani mend që gaforret kanë sasi të larta sodium dhe kolesteroli. Njerëzit që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare apo kolesteroli i lartë nuk duhet të konsumojnë gaforret. Flisni me një mjek profesionist përpara se të bëni ndryshime thelbësore në dietën tuaj./AgroWeb.org/