GLOBALG.A.P – pasaporta për produktet shqiptare bujqësore

315 0

Shpesh kemi një listë ëndrrash, e cila me kalimin e viteve herë shkartiset e herë mrrudhet duke shkelmuar jashtë ato që sna hyjnë më në punë. Por ka një kategori, ku lista ka të shkruar vetëm një ëndërr. Ata janë fermerët, ëndrra e vetme e madhe e të cilëve është që produktet e tyre të arrijnë t’i shesin në një treg të madh. Edhe për Gjergj Lici, fermerin nga Lushnja, kjo është ëndrra që ia trazon ditë-natët. Lici është nga ata fermerë që arrin të prodhojë produkte të një cilësie shumë të lartë në serrën e tij prej 1 ha në Lushnjë, por që e ka të pamundur që këto produkte të mund t’i shesë në tregun evropian. Arsyeja është se Licit i mungon pasaporta. Jo ajo personale, por ajo që do të mund t’i lejonte atij dhe shumë fermerëve të tjerë të tregëtonin prodhimet bujqësore në tregun ndërkombëtar me çmime konkuruese dhe jo të rropaten me çmime të ulëta dhe me problemet e shumta që sjell embargo ruse apo rajonale. Eshtë çertifikimi GLOBALG.A.P (Praktikat e mira bujqësore). Një praktikë e cila do të ketë një ndikim të madh, duke bërë të mundur që prodhuesit të kenë një qasje ndaj tregjeve të reja të BE-së duke rritur kështu mundësitë për eksport.

Pikërisht për të zgjidhur këtë hendek, që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë jo vetëm Gjergj Licin, por të gjithë fermerët dhe agrobizneset, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Maqedoni e Serbi, projekti B-Redi, i mbështetur nga USAID do të prekë në mënyrë direkte problemet e çertifikimit të fermerëve, duke nisur që me trajnimin e tyre. Prej tre ditësh afro 90 fermerë dhe 20 ekspertë të bujqësisë po marrin pjesë në një trajnim të tillë në Lushnjë për t’i ndihmuar në marrjen e çertifikatës që iu hap rrugën eksporteve në BE.

Prej tre ditësh afro 90 fermerë dhe 20 ekspertë të bujqësisë po marrin pjesë në një trajnim në Lushnjë për t’i ndihmuar në marrjen e certificates GLOBALG.A,P që iu hap rrugën eksporteve në BE.

 

GLOBALG.A.P për fermerët është tamam si karta e identitetit që ne paraqesim në kufi. Nëse nuk e disponon një të tillë kurrsesi nuk mund të merresh seriozisht. “GLOBALG.A.P është pasaporta ndërkombëtare për produktet bujqësore. Është karta e identitetit për produktet tuaja dhe është tejet e rëndësishme në mënyrë që ju të eksportoni në BE. Nëse do të merrnit pjesë përshembull në panairin e Fruit Logistica në Berlin, gjëja e parë që do ju pyesinin është nëse ju keni GLOBALG.A.P.”, tha në hapje të trajnimit Enio Jaço, Drejtor Ekzekutiv i CBS, organizata që implementon projektin në Shqipëri.

Përmes projektit B-REDI për Asistencë në Pëputhje me Standardet e Bujqësisë dhe Çertifikimit, e implementuar nga SEGURA do të përfitojnë 15 fermerë shqiptarë dhe agrobiznese

Çertifikatat e GLOBALG.A.P lëshohen nga më shumë se 85 vende, por sërish kërkesa kryesore për të vjen nga tregjet evropiane. Nëse do të eksportonit fruta ose perime në Evropë apo dhe në ndonjë vend tjetër të botës ka shumë gjasa që t’ju kërkojnë pikërisht këtë çertifikatë. “Eshtë e pamundur të bëjmë tregëti pa GLOBALG.A.P. Ne kemi prodhim shumë të mirë, por na mungon çertifikimi” thotë Dritan Kolleshi, ekspert bujqësie prezent në trajnimin ku ekspertë të CBS dhe ekspertë nga Maqedonia mbajtën sesione trajnimi për prodhuesit e perimeve, trupat audituese dhe konsulentët privatë përgjegjës për sistemin e çertifikimit Global GAP në Shqipëri. “Trajnimi është shumë i rëndësishëm për fermerët dhe agrobizneset që të njihen me rregullat dhe anën teknike të procesit të çertifikimit. Por, ajo çka ka më shumë vlerë është rëndësia e madhe që ka ky çertfikimin për eksportin e produkteve shqiptare”, tha Ljubica Temova, konsulente nga Maqedonia dhe eksperte e GLOBALG.A.P e cila trajnoi fermerët dhe agrobizneset në Lushnjë.

Përmes projektit B-REDI për Asistencë në Pëputhje me Standardet e Bujqësisë dhe Çertifikimit, e implementuar nga SEGURA do të përfitojnë 15 fermerë shqiptarë dhe agrobiznese. Prodhuesit e mëdhenj të mollëve, perimeve, serrave dhe prodhuesit e vajit të ullirit do të asistohen në implementimin dhe në marrjen e çertifikimit GLOBALG.A.P. “Falë GLOBALG.A.P ne tani do të kemi mundësinë që të konkurojnë në tregun evropian. Çertfikimi është porta për të dalë në treg”, shprehet Gjergj Lici.

Në tregun ndërkombëtar, fermerët shqiptarë dhe prodhuesit e ushqimit do t’iu kërkohet gjithnjë e më shumë të jenë të çertifikuar ndaj një standardi të sigurisë së ushqimit. Dhe kjo jo vetëm për shkak se ne jemi të projektuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe integrimit në tregun e tij, por edhe sepse ky treg është një mundësi shumë e madhe zhvillimi për biznesin shqiptar. Endrrat vërtet janë të shumta, por ajo që në fund të ditës bën që një biznes të jetë i sukseshëm është vetëm një: shitja dhe GLOBALG.A.P është pasaporta që hap derën e madhe të tregut në BE.