HACCP “ Udhërrëfyesi i Eksportuesve Shqiptarë

538 0

Tre mollë ndryshuan botën. E para futi në mëkat Evën e Adamin, e dyta frymëzoi Njutonin dhe ligjin e tij të gravitetit dhe e treta iu ofrua botës gjysëm e kafshuar nga Steve Jobs. Por për shqiptarët ka dhe një mollë të katërt.

Sapo përmend emrin Starkinge e Korçës, të vjen ndërmend e kuqja e saj e fortë, shija shpërthyese e aroma ndjellëse. “Eshtë magjia e Zotit”, të thotë me bindje dhe gjithë krenari Serjan Bregu një prodhues mollësh nga fshati Mollaj, Korçë.

Eshtë e pritshme në fakt një krahasim i tillë, nga një fermer që vjen nga fshati që edhe emrin e ka marrë nga mollët. Por ajo që nuk e pret, është se kjo kulturë molle kaq e rëndësishme dhe me shumë potencial në vend për shkak të cilësisë së lartë, e ka të pamundur të kalojë pragun e tregjeve të Bashkimit Evropian. “Kjo është pjesa më pa shije në këtë mes”, thotë Bregu ndërsa në tiparet e buta i ravijëzohet një tis trishtimi. “Unë mund t’i shes mollët në tregun lokal, por nuk jam në gjendje që t’i eksportoj”, të thotë gati si i zënë në faj.

Bregu, ashtu si dhe shumë fermerë të tjerë të zonës së Korçës, jetojnë me mollët, ndërsa rropaten çdo vit për të gjetur mënyra për t’i tregëtuar edhe jashtë kufijve duke u kthyer shpesh me arkat plot, pasi mollëve të Korçës ju mungon një element që u mbyll dyert e tregut evropian.

“Arsyeja që i mban këta fermerë larg tregut kombëtar është mungesa e çertifikimit Global G.A.P. dhe HACCP-Analiza e Rrezikut dhe Pikave Kritike të Sistemeve të Kontrollit. Është një sistem menaxhimi i sigurisë ushqimore përmes analizës dhe kontrollit biologjik, kimik dhe fizik, që nga prodhimi, prokurimi dhe trajtimi i lëndës së parë, deri te prodhimi, shpërndarja dhe konsumi i produktit përfundimtar”, thotë eksperti maqedonas i HACCP, Stojadin Stojanovic.

Fermerë të zonës së Korçës duke u trajnuar për çertifikimin HACCP.

 

Stojanovic prej disa ditësh po trajnon fermerët shqiptarë në Korçë për të marrë këtë çertifikim, si pjesë e projektit rajonal B-Redi. I mbështetur nga USAID ky projekt prek në mënyrë direkte problemet e çertifikimit të fermerëve, duke nisur që me trajnimin e tyre në përputhje me kërkesat dhe standardet e BE-së.

Dhe HACCP është pikërisht çertifikimi që do t’u nevojitet agropërpunuesve shqiptarë në përputhje me standardet kombëtare të sigurisë ushqimore, por edhe për t’u zgjeruar më shumë në tregjet rajonale. Marrja e këtij çertifikimi është domosdoshmëri për shumicën e tregëtuesve të fruta perimeve, përpunuesve dhe prodhuesve të vajit të ullirit si dhe për operatorët e magazinimit të ftohtë, pasi mungesa e HACCP vjen me një kosto të lartë.

Dhe këtë e di shumë mirë Aurel Qyfeku, i cili e ka pësuar n&eueuml; lëkurë mungesën e HACCP. Çdo vit ai magazinon në frigorifer më shumë se 1000 ton mollë, të cilat më pas i shet në tregun vendas. Por këtë vit, ai kishte një ofertë që do t’a çonte biznesin e tij të katapultuar në majë duke u rritur me pesëfish. Por ishte një gëzim, që u venit sa hap e mbyll sytë, në momentin që u ndesh me kërkesën për çertifikimin HACCP. “Padyshim që unë tani do të marr të gjithë hapat e nevojshme për ta pasur këtë çertifikim, duke qenë se po i hedh sytë drejt tregut perëndimor evropian për t’u zgjeruar në eksportimin e mollëve dhe të frutave të tjera. Dhe nuk mund t’ia lejoj më vetes të më shpëtojë një rast i tillë”, thotë Qyfeku.

Në tregun ndërkombëtar, fermerëve shqiptarë ashtu si Aurel Qyfekut dhe prodhuesve të tjerë të ushqimit do t’u kërkohet gjithnjë e më shumë të jenë të çertifikuar ndaj një standardi të sigurisë së ushqimit. Dhe kjo, jo vetëm për shkak se ne jemi të projektuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe integrimit në tregun e tij, por edhe sepse ky treg është një mundësi shumë e madhe zhvillimi për biznesin shqiptar.

HACCP përmirëson cilësinë, ul koston dhe rrit sigurinë ushqimore dhe mundësitë për eksport.

Respektimi i standardeve të BE-së është tejet i rëndësishëm për bujqësinë në përgjithësi dhe hortikulturën në veçanti si një burim i rëndësishëm i të ardhurave për Shqipërinë. Dhe pikërisht përmes projektit B-REDI për Asistencë në Pëputhje me Standardet e Bujqësisë dhe Çertifikimit, e implementuar nga SEGURA (i cili startoi këtë verë) do të mund të përfitojnë 15 fermerë shqiptarë dhe agrobiznese, të cilët kanë dhe volumin më të madh të prodhimit dhe potencialit për eksport në vendet e Bashkimit Evropian.

Sipas ekpertit Stojanovic, të gjithë prodhuesit është e domosdoshme të kenë sgurinë ushqimore dhe duhet të pajisen me çertifikimin HACCP pasi përmirëson cilësinë, ul koston dhe rrit sigurinë ushqimore dhe mundësitë për eksport. Eshtë mirë për prodhuesit dhe akoma më mirë për konsumatorët, pasi siguria ushqimore është A-ja e shëndetit tonë. Mollët vërtet rriten në pemë, por nga ferma deri në pjatën tonë, siguria e HACCP duhet t’i shoqërojë.

HACCP – Sistemit i Menaxhimit të Sigurisë Ushqimore

Fjala HACCP– Hazard Analysis & Critical Control Point (Analiza e Rrezikut dhe Pikave Kritike të Sistemeve të Kontrollit) i bën konfuz shumë njerëz, por e thënë më thjesht ajo ka të bëjë me një sistem që vihet në funksion për të garantuar sigurinë ushqimore.

Ky sistem quhet sistemi i menaxhimit ushqimor dhe bazohet në principet e HACCP, për identifikimin dhe kontrollin e rreziqeve që mund të paraqesin problem për një ushqimi të sigurtë.

Nënkupton procesin e gjurmimit të problematikave duke planifikuar parandalimin dhe duke siguruar marrjen e masave.

HACCP është një kërkesë ligjore, por që ka benefite për bizneset dhe konsumatorin:

  • -Biznesi kursen më shumë para në afatgjatë, duke reduktuar kostot
  • -Eviton helmimin e konsumatorit
  • -Rrit standardet e sigurisë ushqimore
  • -Siguron që bizneset të jenë në përputhje me ligjin
  • -Rrit standardet e cilësisë ushqimore
  • -Organizon procesin e prodhimit të ushqimit të shëndetshëm