Hippo – Një Rrjet Marketesh me Buzëqeshje

466 0

Të blesh në marketet shqiptare shpeshherë të jep ndjesinë sikur je vetëm përballë kutive me ngjyra dhe me foto që të gjitha të thërrasin t’i blesh dhe asnjëra nuk ta mbush mendjen me sy të parë.

Nëse të duhet një sqarim për një produkt të veçantë, je i detyruar të gërmosh me sy nëpër etiketa që shkruajnë shumë, por rrallë të tregojnë tamam atë që duhet të dish. Dhe kështu eksperienca e të bërit pazar në rrjetet e marketeve fillon dhe komplikohet.

Por dy djem nga Tirana, plot energji dhe dëshirë para një viti nisen me një plan për të krijuar një rrjet marketesh të trajtuar mirë. E nisën me një market dhe pas pak më tepër se një vit arritën të krijojnë një rrjet. Në fakt, një rrjet marketesh me buzëqeshje të quajtur Hippo.

Melandi dhe Brikeni u nisën nga miqësia dhe sintonia me njëri-tjetrin për të arritur tek Hippo sot, rrjeti që numëron 5 pika shitje në Tiranë dhe një në Vlorë. Melandi ka studiuar kardiologji, por karakterizohet nga shkathtësia në marrëdhëniet njerëzore, një cilësi që nuk mund ta mbante mbyllur në pavionet spitalore. Brikeni ka studiuar pikturë dhe art konceptual, ndërsa merret me marketing dhe më një dëshirë të pandrojtur për t’i dhënë nota artistike çdo gjëje që prek me dorë.

Të dy bashkë përpiqen çdo ditë të sjellin një mentalitet krejt ndryshe në mënyrën se si mund të funksionojë një rrjet marketesh me objektiv të qartë, atë të arritjes së vlerësimit të vertetë nga konsumatorët, apo siç shprehen djemtë, vlerësimit të miqve të Hippo-s.

Por çfarë i kënaq miqtë e Hippo-s?

Pika e fortë e Hippos është se ka cmimet më konkuruese në treg, në shumicën e rasteve kjo do të thotë çmime më të ulta dhe mbi të gjitha i trajton klientët me respekt dhe me buzeqeshje. Për Hippo, buzëqeshja është edhe pjesë e logos identifikuese të rrjetit, si për t’i kujtuar blerësve dhe shitësve se të bërit pazar duhet në çdo rast të të lërë një shije të mirë, jo vetëm për çmimet, por edhe për shërbimet. Djemtë sigurojnë që kanë ngrirë çmimet sidomos për muajin dhjetor që asnjë blerës të mos përballet me rritjen tradicionale të çmimeve të Vitit të Ri.

Melandi dhe Brikeni janë krejt të përqendruar tek eksperienca pozitive e klientëve. Hippo është i vetmi rrjet marketesh në vend ku secili nga klientët mund të bëjë porosinë e një produkti që nuk ndodhet në rafte dhe Hippo kujdeset që ta gjejë dhe më pas t’i telefonojë klientit për ta informuar mbi ardhjen e produktit. Gama e gjerë e produkteve në Hippo nuk lë hapësira për mungesa, por djemtë duan të tregojnë kujdes edhe sikur për një klient të vetëm.

Historia e Hippo-s me kujdesin ndaj miqve të vet vazhdon me lotarinë e buzëqeshjeve ku me vetëm 1500 Lekë blerje ke mundësi të fitosh dhurata të vërteta. Këtë javë mbaron edhe lotaria e 2016. Shpallja e fituesit do të bëhet në çdo hyrje të marketeve në 30.12.2016 në orën 13:00 ku do të shpërndahen 78 dhurata. Por ka edhe më tepër. Karta Hippo është një nga përfitimet kryesore pasi çdo fundjavë, pikët që përfiton nga blerja dyfishohen dhe mund të fitohen dhurata të ndryshme për perdorim shtëpiak.

Por Hippo nuk është një rrjet marketesh që blen mallra me shumicë dhe i shet me pakicë. Djemtë e Hippo-s i kanë idetë e qarta dhe duan të ndikojnë në rritjen e ndërgjegjësimit të komuniteteve ku shërbejnë për të konsumuar produkte të shëndetshme. Çdo të hënë, stafet e Hippo-s dalin në rrugët e blloqeve ku veprojnë dhe dhurojnë produkte të freskëta të stinës tek fëmijët, të moshuarit dhe gjithkujt që mund të ndihmojnë.

Hippo gjithashtu është një portë e hapur për bizneset prodhuese shqiptare. Djemtë e Hippo-s tregojnë me krenari se janë të gatshëm t’i ofrojnë pika shitje çdo prodhuesi serioz dhe cilësor shqiptar, origjina e prodhimeve të të cilëve është e garantuar dhe e sigurtë.

Për prodhuesit shqiptarë të produkteve ushqimore kjo nuk është diçka e vogël, pasi supermarketet e mëdha shpeshherë bazohen tek mallrat e importit dhe hapja e Hippo-s ndaj produkteve të sigurta vendase përsëri garanton buzëqeshje./AgroWeb.org