Kërpudhat nga Mali i Zi rezultojnë radioaktive në Itali

281 0

Autoritetet italiane të kontrollit doganor në datën 13 Tetor 2016 kanë bllokuar një sasi të papërcaktuar kërpudhash nga Mali i Zi pasi nga analizat e kryera rezulton se janë me nivel shumë të lartë radioaktiviteti.

Kërpudhat e freskëta nga Mali i Zi sipas Portalit të Sistemit të Alarmit Europian kapin nivele alarmante radioktiviteti nga Cesium-137:803 BQ/kg. Autoritetet italiane jo vetëm që kanë bllokuar zbarkimin e mallit malazez, por kanë sekuestruar sasinë e këtyre kërpudhave derisa të mundësohet rikthimi në vendin e origjinës, pra në portin e nisjes në Malin e Zi.

Portali i Sistemit të Alarmit Europian e cilëson situatën si serioze pasi niveli i radioaktivitetit kap norma të rrezikshmërisë së lartë. Autoritetet italiane pas njoftimit të doganave të të gjitha vendeve të Bashkimit Europian, garantojnë se sasia nuk ka depërtuar në treg.

Sipas verifikimit nga AgroWeb.org, kërpudhat e freskëta të tipit Hydnum repandum, njihen edhe me emrin kërpudhat iriqe pasi si tipar dallues kanë një sipërfaqe gjembore të ngjashme poshtë kapelës dhe njihen si lloj gjerësisht i ngrënshëm nga njerëzit. Nga ana tjetër, kontaminimi i këtyre kërpudhave me izotopin radioaktiv Cesium 137 është ende mister.

Çfarë është Cesium 137 dhe çfarë rreziku paraqet?

Cesium 137 ose radiocaesium është një izotop radioaktiv që formohet nga ndërveprimi bërthamor i uraniumit 235 dhe izotopeve të tjera si pasojë e përdorimit në reaktorë bërthamorë ose armë bërthamore. Cesium 137 ndërvepron me ujin dhe prodhon një përbërje shumë të tretshme të quajtur hidroksidi i cesiumit. Menjëherë pasi hyn në trupin e njeriut, cesium shpërndahet në mënyrë uniforme në të gjithë organizmin, ndërsa dëmet janë në varësi të sasisë së marrë.

Që prej vitit 2005, Cesium është elementi radioktiv më kryesor që mbetet i pranishëm në zonën e ndaluar rreth ish-centralit famëkeq bërthamor Vladimir Iliç Lenin të Çernobilit, sot territor i Ukrainës. Në bazë të kërkimit nga AgroWeb.org, bashkë me elementët e tjerë radioaktivë, Cesium rezulton si një nga izotopet më të rrezikshëm të shpërndarë nga shpërthimi i Çernobilit 30 vjet më parë.

Por Cesium 137 përdoret edhe në disa aparatura analizash radiografike për të identifikuar vjetërsinë e verërave dhe shtresat e përbërjes së terreneve të tokës, por në sasi minimale. Cesium 137 është edhe një nga elementët më të përhapur prej shpërthimit të centralit bërthamor të Fukushimës në 2011.

Shqipëria dhe Mali i Zi aderojnë në CEFTA dhe Shqipëria importon nga Mali i Zi kryesisht bimë mjekësore, misër, grurë, ëmbëlsira, alkool, birrë, verë dhe erëza. Kërpudhat shqiptare shiten në Kosovë, ndërsa kërpudhat e importit kryesisht vijnë nga Maqedonia dhe Greqia. Shqetësimi që ngre AgroWeb.org ka të bëjë me faktin sesa i shtrirë është kontaminimi radioaktiv në vendin ngjitur me Shqipërinë dhe cilat produkte të tjera të tokës ka prekur. Situata është në zhvillim e sipër dhe priten detaje të mëtejshme në ditët në vijim.

Portali i Sistemit të Alarmit Europian detyron të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Europian të bllokojnë çdo sasi malli të raportuar dhe të analizuar nga sistemi. Duke qenë se Mali i Zi është vend fqinj më Shqipërinë, do të ishte e udhës që njoftimi i AgroWeb të shërbente për të rritur vëmendjen e autoriteteve të kontrollit doganor të pikave kufitare me fqinjin verior./AgroWeb.org