Lodrat me lëndë të rrezikshme – Shqipëria s™ka laborator kontrolli

204 0

Si një komponent thelbësor në zhvillimin e fëmijëve, lodrat që ata përdorin janë një aktivitet intensiv, që shoqëron rritjen e tyre. Pra përdorimi i tyre, kontribon në zhvillimin njohës, social dhe emocional të fëmijës. Prodhimi, importi dhe tregtimi i lodrave, që jo rrallë fallsifikohen, kopjohen apo përshtaten, shkakton rreziqe dhe efekte negative tek këta fëmijë, të cilët janë "klientët’ kryesorë të këtyre produkteve. Për ekspertët e fushës, blerja e lodrave, qoftë edhe në Shqipëri, duhet të bëhet vetëm tek kompanitë e çertifikuara që zbatojnë ligjet, me qëllim që fëmijëve t’u jepen gjithmonë objekte që janë të sigurta.

Pikërisht për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqe të tilla nga lodrat, në Europë egziston një legjislacion gjithpërfshirës, i cili parashikon standarde të harmonizuara që lidhen me sigurine e produktit. Këto standarte përfshijnë:

– Testimin fiziko mekanik,
– Testimin për temperaturën e ndezjes,
– Testimin kimik,
– Testimin e sigurisë elektrike,
– Etiketimin.

Por ashtu si rëndom, ligjet janë të qarta, çfarë duhet është "kristal" e ditur, por cfarë ndodh, është krejt ndryshe. Ekspertët nxitojnë të bëjnë të ditura problemet, por sipas informacioneve të AgroWeb.org, në Shqipëri nuk ka asnjë laborator të mirëfilltë për të matur nivelin e prezencës në masë të ndaluar, të lëndëve të rrezikshme.

Nako Petro, ekspert në Institutin Shtetëror Teknik Industrial, shprehet se lodrat e fëmijve që kanë në përbërjen e tyre rrëshire PVC, kanë shumë probabilitet që të kenë ftalate. Ftalatet në vetvete, janë lëndë që shpesh lodrat përmbajnë si plastifikator, e që shkaktojnë probleme në shëndet dhe mjedis. "Aktualisht ne nuk e përcaktojmë dot sasinë e tyre për mungesë aparaturash por nga analiza organo – leptike, dallohet që një pjesë e lodrave kanë lëndë të tilla"- thotë eksperti për AgroWeb.org. Në bazë të normativave të BE-së, prania e ftalateve tek lodrat e fëmijve është ndaluar plotësisht.
Për të kontrolluar cilësinë e lodrave të fëmijve, egzistojnë një sërë standardesh, por më kryesoret janë analizat kimike të materialeve të përdorura si dhe analizat fizike për përmbajtjen e pjesëvë të imta, forcën e ngjitjes së tyre etj. Sipas ekspertit Petro, në analizat kimike dominojnë përcaktimi i përmbajtjes së plumbit, kadmiumit, arsenikut, mërkurit, kromit 6 valent, etj. Nga ana tjetër, raportet e viteve të fundit të BE-së, ngrenë alarmin se prezenca e lëndëve që përmbajnë rrezik për fëmijët, është ende e lartë. Kryesisht bëhet fjalë për produkte që mbërrijnë nga Kina, të cilat imitohen dhe hidhen në treg, pavarësisht përmbajtjes së tyre. Për Shqipërinë, e cila importoi një vit më parë rreth 10 milion dollarë tekstile dhe këpucë, rreziku qëndron i hapur, pasi edhe vetë "tregu kinez", qëndron sfidues në mes të Tiranës. "Në importin e lodrave marka “CE” është një kërkesë që tregon konformitetin se të gjitha direktivat e BE-së janë zbatuar, për prodhimin e produktit"- thotë Nako Petro nga Instituti shtetëror Teknik Industrial. Sipas tij, për vitin 2016, ka patur informacione për lëndë me përmbajtje të dyshimtë në detergjentë të ngurtë dhe solucione të ndryshme pastruese.

Por për sa kohë që në Shqipëri egziston në dritë të diellit një treg kinez në mes të Tiranës, e për sa kohë që kemi fare pak mundësi ta kontrollojmë produktin, për mungesë laboratorësh e infrastrukture, kurrë nuk mund të themi hapur se rreziku kaloi.

Po kështu, kurrë nuk duhet lënë pa shkruar, në mënyrë origjinale apo të përsëritur, se sa pranë qëndron rreziku që fëmijët tanë të kenë kontakt me kadmiumin, i cili shkakton dhimbje muskujsh apo temperaturë, apo me dioksidin e titanit që shkakton sëmundje kancerogjene. Po kështu plumbi, që stimulon tumorin. E njëjta situatë e rrezikshme shkaktohet edhe nga ekspizimi i zinkut, arsenikut, mërkurit etj.

Edhe vetë stampa CE, e cila konfirmon se lodrat nuk kanë lëndë të dëmshme, ka filluar të falsifikohet në Shqipëri, çka e bën problemin edhe më ulëritës, pasi redukton mundësinë që të kuptojmë prezencën e këtyre lëndëve.

Ekspertët këmbëngulin që shtimi i kontrolleve, heqja e këtyre produkteve nga tregu, por edhe ndjeshmëria e përgjithshme institucionale, janë të vetmet që mund të pakësojnë mundësinë e egzistencës së lëndëvë të rrezikshme. Shpesh për të blerë një lodër të lirë për të kënaqur fëmijën, rrezikojmë shëndetin e tij. E për sa kohë jemi të ndërgjegjshëm se të vëmë vetulla në vend të syve është gabim, kërkohet reagim./AgroWeb.org 

 

*Gert Selenica punon si gazetar që prej vitit 1995. Përgjatë karrierës profesionale, ka prekur më së shumti çështjet politike, sociale, ekonomike dhe problematikat mjedisore. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për AgroWeb.org