Kolonja Destinacion për Investimet në Sektorin e Bimëve Mjekësore dhe Aromatike

776 0

Bashkia Kolonjë e mbështetur nga RisiAlbania, një projekt i Agjencisë  Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim-SDC , ka ndërmarrë nismën për të promovuar Kolonjën si një destinacion për tërheqjen e investimeve në sektorin e Bimëve Mjekësore dhe Aromatike (BMA).

Investimet në këtë sektor gjenerojnë të ardhura më të mira dhe mundësi punësimi apo vetë punësimi për të rinjtë. Në realizimin e hapave për nxitjen e investimeve, bashkia Kolonjë është duke u asistuar nga Organizata Njerëz dhe Ide.

Në këtë konteks, së shpejti bashkia Kolonjë do të prezantojë paketën e investimeve në sektorin e Bimëve Medicinale dhe Aromatike në Kolonjë pranë eksportuesve dhe investitorëve potencial dhe ka shprehur gatishmërinë për të asistuar çdo investitor të interesuar.

Ndihma 

Lidhur me elaborimin e kësaj pakete të investime në sektorin e BMA, një ekip i ngritur pranë bashkisë Kolonje së bashku me përfaqësues nga fermerët e zones, me mbështetjen e këshillit bashkiak kanë zhvilluar takime me eksportuesit kryesore në vend të Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, të cilët janë të interesuar të investojnë në Kolonjë dhe bashkëpunojnë me fermerët për kultivimin me kontratë të BMA.

Në takimin e zhvilluar pranë kompanisë Mediterranean Export – Imports Albania (MEIA) në Malësinë e Madhe, e cila prodhon vajra esenciale dhe ka kontrata me rreth 500 fermerë për kultivimin e BMA-ve, përfaqësuesit nga Kolonja u njohën me mundësinë që kanë fermerët për të lidhur kontrata për kultivimin e Bimëve Mjekësore dhe Aromatike.

Gjithashtu u njoh me potencialet që ka zona e Kolonjës për kultivimin organik të BMA-ve falë përbërjes së tokës, kushteve klimaterike dhe gjeografike të saj, mungesës së industrive që mund të ndotin mjedisin dhe mungesa e bujqësisë intensive.

Eksporti 

Kompania MEIA është një ndër kompanitë kryesore në rajon për eksportin e vajrave esencial në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e më gjerë.

Në vijim të turit të takimeve përfaqësuesit nga Kolonja zhvilluan një vizitë pranë kompanisë BioBes me qendër në Lushnjë.

Kompania BioBes është një eksportues i cili po rrit ndjeshëm eksportet në tregje me vlerë të lartë si Zvicër, Austri, Francë, Gjermani etj., falë modelit të ri që ka ngritur për rritjen e cilësisë dhe garantimit të furnizimit të qëndrueshëm me Bimë Mjekësore dhe Aromatike të certifikuara organike.

BioBes synon të investojë sa më afër fermerëve dhe të rrisë bashkëpunimin nëpërmjet kontratave për kultivimin e bimëve të certifikuara organike.

Përfaqësues të kompanisë BioBes shpjeguan se aktiviteti i kompanisë bazohet në parimin e mbështetjes së fermave të vogla familjare në zonat rurale që kanë traditë në mbledhjen e bimëve aromatike dhe mjekësore në gjendje të egër, duke nxitur këto familje të nisin kultivimin me kontratë të Bimëve Mjekësore dhe Aromatike.

Mbështetja

“Iniciativa e bashkisë Kolonjë për të ofruar incentiva për kultivimin e BMA-ve, përmes partneritetit me sipërmarrjet, është një model i ri në Shqipëri që na inkurajon të jemi sa më afër fermerëve duke investuar drejt nxitjes së kultivimit më kontratë”, u shprehën përfaqësuesit e BioBes.

Nënkryetarja e bashkisë Kolonjë Elona Mydini shprehu gatishmërinë për përfshirjen në këtë projekt dhe kalimin nga një grumbullim i Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, i pa organizuar në një formë të re, duke e kthyer në biznes eficient. “Resurset që ka bashkia Kolonjë për shkak të klimës si dhe bashkëpunimit me pushtetin vendor për sipërfaqet e lira të tokës dhe infrastrukturë ndihmëse e bëjnë bashkinë partner të besueshëm dhe serioz në zgjerimin e sipërmarrjeve në këtë sektor”, – tha Mydini.

Vizita vijoi pranë bashkisë Tepelenë me qëllim shkëmbimin e eksperiencave nga secila bashki për sektorin e BMA-ve. Përfaqësuesi i bashkisë Tepelenë Aleksandër Toti i prezantoi vizitorëve klasterin BMA-ve në zonën e Tepelenës. Klasteri është një platformë komunikimi inovativ midis aktorëve lokal të BMA-ve ku bën pjesë dhe bashkia Tepelenë. Kjo platformë i mundëson bashkisë Tepelenë të ndërmarrë vendime më të mirë informuara për nxitjen e këtij sektori.

Duke e formalizuar “Claster”-in priten edhe bashkëpunime më të mëdha me pushtetin, shoqata apo donatorë të tjerë për të rritur dhe forcuar ekonominë e fermerëve dhe familjeve të tyre të cilat merren dhe jetojnë më këtë biznes./ATSH