Si T’i Ndihmojmë Fëmijët Të Luftojnë Vetminë Gjatë Pandemisë

48 0

Distancimi fizik është shumë i vështirë dhe i rëndë për fëmijët.

Deri në fund të vitit 2019, shumica e tyre i kalonin ditët plot ndërveprime me bashkëmoshatarët, mësuesit, kujdestarët, fqinjët dhe familjen.

Në fillim të 2020ës ndryshoi gjithcka.

Për të penguar përhapjen e virusit COVID-19, në mbarë botën u mbyllën shkollat, kopshtet, programet jashtëshkollore por edhe këndet e lojrave, duke kufizuar ndjeshëm aftësinë e fëmijëve për të kaluar kohë me të tjerët.

Për fëmijët dhe adoleshentët, këto ndryshime natyrshëm nxisin ndjesinë e thellë të vetmisë.

Si Ndikon Izolimi Dhe Vetmia Tek Fëmijët

Vetmia e nxitur si pasojë e pandemisë është veçanërisht e ashpër për fëmijët.

Ndryshe nga të rriturit, për fëmijët është më e vështirë për të komunikuar ndjenjat e tyre.

Masat e distancimit social i pengojnë fëmijët të kalojnë kohë me bashkëmoshatarët gjatë kësaj periudhe të rëndësishme të rritjes dhe zhvillimit social.

Miqësia me fëmijë të tjerë u jep atyre një mbështetje thelbësore, i ndihmon të kenë sensin e përkatësisë, të gjejnë vendin e tyre dhe të krijojnë identitetin personal.

Vetmia tek fëmijët dhe adoleshentët është shqetësuese sepse ndikimet e saj janë afatgjata.

Studimet kanë treguar se kur vetmia është afatgjatë ajo mund të nxisë depresion dhe ankth në vitet e mëtejshme.

Për shkak të stresit dhe qasjes së kufizuar në kujdesin shëndetësor, gjendja e fëmijëve me probleme ekzistuese mendore mund të përkeqësohet gjithashtu.

Si T’i Ndihmojmë Fëmijët Të Përballen Me Vetminë

Ekspertët thonë se prindërit kanë detyrën e vështirë jo vetëm që t’i mbrojnë fëmijët nga virusi duke zbatuar masat e ndërveprimit social por nga ana tjetër edhe nga vetmia.

Fëmijët kanë nevojë të kalojnë kohë cilësore me shokë që të ndiejnë mbështetje, qoftë edhe online.

Ata kanë nevojë të ndihen të sigurtë edhe në marrëdhënien me prindin apo kujdestarë të tjerë.

Më të vegjlit kanë nevojë për shumë përqafime e ledhatime. Prindi duhet të jetë i pranishëm dhe të mbajë nën kontroll gjendjen e fëmijës.

Ky i fundit duhet mësuar të shprehë ndjenjat dhe prindi nuk duhet t’i zhvlerësojë ato, sado të pakuptimta të tingëllojnë.

Fëmijët që dinë të lexojnë mund të lexojnë edhe libra për mënyrat e të luftuarit të vetmisë që do t’i ndihmojë ata të shprehin ndjenjat.

Shprehja e krijueshmërisë është diçka që ekspertët e inkurajojnë fort.

Fëmijët duhen motivuar, për të krijuar, vizatuar, kënduar. Ata duhen angazhuar në aktivitetet e përditshme në mënyrë që të mos ndihen të vetmuar.

Alternativa e fundit por jo për nga rëndësia është që fëmijës t’i merrni një kafshë shtëpiake për të luftuar izolimin dhe vetminë e thellë.

Kafshët shtëpiake u japin fëmijëve ndjesinë e përgjegjësisë dhe mbështetjes së fortë për të cilën ata kanë kaq shumë nevojë./AgroWeb.org