Koronavirusi – Për 3 Muaj Bankat Nuk Do Kërkojnë Shlyerjen e Kësteve të Kredive

419 0

Banka e Shqipërisë ka vendosur të ngrijë pagesat e kredive në tre muaj. Mësohet se vendimi do të jetë i vlefshëm për individët dhe për subjektet private.

Megjithatë kjo nuk do të thotë se këstet do të falen.

Vendimi është marrë në përshtatje me masat e marra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit me qëllim shmangien e radhëve në banka dhe për të eliminuar sa më shumë të jetë e mundur daljen e individëve nga banesat apo dhe shmangien e kontakteve të mundshme.

Sa i përket modaliteteve që do të përdoren, Banka e Shqipërisë do të publikojë një vendim të plotë për të udhëzuar institucionet e nivelit të dytë se si do të duhet të veprojnë. Në periudhën e “ngrirjes” së pagesës së kredive nuk do të aplikohen gjobat mbi mospagesën.

Bankat Shqiptare Këshillojnë Klientët

Koronavirusi është kthyer në kryefjalën e çdo dite. Organizata Botërore e Shëndetësisë në vazhdimësi jep këshilla të vazhdueshme se si mund të mbrohemi prej tij duke respektuar kushtet e higjienës dhe duke shmangur kontaktin e shpeshtë njerëzor.

Një përcjellës shumë i mirë i virusit janë edhe kartëmonedhat. Nga një studim i publikuar edhe në Daily Mail cilësohet se ky virus mund të mbijetojë në sipërfaqe të forta nga 2 orë deri në 9 ditë.

Edhe në Shqipëri, bankat po i këshillojnë klientët të mos përdorin paranë cash. Në një njoftim dërguar klientëve të saj, Banka Kombëtare Tregtare i sugjeron që të shmangin prekjen e parave dhe nënshkrimin e faturës.

Banka i këshillon gjithashtu klientët që të shmangin kontaktin në ambientet në degët e bankave dhe përdorin kanalet dixhitale online si dhe kartat pa kontakt.

Krahas njoftimeve, bankat kanë marrë dhe masa për të minimizuar rrezikun e marrjes së virusit në sportelet e bankës dhe për të siguruar punonjësit e tyre.

Në sportelet e Intesa Sanpaolo klientët e mbajnë radhën jashtë dhe përpara se të futen janë të detyruar nga personeli i ruajtjes fizike që të dezinfektojnë duart.

Klientët duhet të mbajnë dhe një distancë rreth gjysmë metri nga sporteli.