Krijoni Mantelin e Vjollcave në Vazo dhe Kopshte

560 0

Vjollca është një bimë e mrekullueshme që rritet në mënyrë ideale në klimën që ofron Shqipëria.

Kjo lule me emrin botanik Viola Odorata, i jep çdo hapësire një aromë shumë të këndshme, por ajo përdoret edhe në kuzhinë, kozmetikë dhe për zbukurim.

Bima e Vjollcës mbillet dhe rritet shumë lehtë duke formuar një mantel të këndshëm ngjyrash në vazot apo në kopshtin tuaj.

Gjethet e lules së Vjollcës mund të mblidhen gjatë gjithë vitit. Lulet e saj janë të ngrënshme. Ato çelin në fund të dimrit dhe në fillim të pranverës.

AgroWeb.org do t’ju mësojë se si të rrisni vetë këtë lule të bukur dhe aromatike.

Vendndodhja

Vjollca ka nevojë për një vend me pak hije, megjithatë ajo njihet si një lule tolerante.

Nëse e mbillni në një vend me klimë të ngrohtë, Vjollca ka nevojë të mbrohet nga dielli i nxehtë i pasdites, por nëse jetoni në një vend me klimë më të freskët, atëherë mund ta lejoni të shijojë plotësisht ngrohtësinë e diellit.

Tokë cilësore

Pehashi i dheut ose tokës ku do të mbillet Vjollca duhet të jetë diku mes 6.0 – 7.5 që është mesatar, por nëse vini re një aciditet të lartë atëherë shtoni lëng limoni jeshil që ka aftësinë të neutralizojë aciditetin.

Dheu duhet të jetë i kulluar mirë dhe i pasur me pleh organik.

Për pasurimin e dheut mund të përdorni gëlqere dhe mbetje organike të kafshëve dhe bimëve.

Shumimi përmes këputjes

Nëse ju keni mbjellë tashmë disa lule Vjollce, atëherë mund të merrni një degë, ose një pjesë të bimës me gjithë rrënjë dhe ta mbillni në saksi për disa javë deri sa rrënjët të kenë zënë vend.

Koha më e mirë për këtë është pranvera ose vjeshta.

Krasitjen e bimës për të shumëfishuar lule Vjollcën mund ta bëni njëherë në dy vjet.

Në këtë mënyë do të keni krijuar një kopsht të mirëfilltë Vjollcash.

Nëse dëshironi mund ta mbillni Vjollcën që nga fara, që gjendet në farmacitë bujqësore ose me bimëza të rritura që i gjeni rëndom në dyqanet e luleve.

Filizat dhe fidanët e rinj duhen vendosur në saksi të veçanta dhe kur të rriten mjaftueshëm duhen transferuar në kopësht.

Hapësira 25 – 30 centimetra

Bima e Vjollcës ka nevojë për hapësirë. Fidanët mbillini në radhë, me një hapësirë prej 25-30 centimetrash nga njëri tjetri.

Vaditja

Vjollca ka nevojë për lagështirë. Tharja e tokës përreth është e palejueshme, ndaj sigurohuni që ta mbani dheun e luleve të lagësht.

Mbrojtja

Largoni rregullisht shkurret dhe barishtet e këqija që i zënë frymën bimës.

Mbledhja

Lulja e Vjollcës çel me shumicë në fillim të pranverës dhe deri në fund të dimrit. Lulet mund t’i përdorni në sallata pasi janë të ngrënshme dhe shijemirë./AgroWeb.org