Kultivimi i Fasuleve – Shqipëria Mban Vendin e Parë Në Rajon

705 0

Bishtajoret kanë qenë prej vitesh pjesë e dietës ushqimore në mbarë botën për mijëra vite, duke shërbyer si burim proteinash.

Pjesë e bishtajoreve janë  bizelet, llojet e ndryshme të fasuleve, qiqra dhe thjerrëza.

Bishtajoret shërbejnë si një burim i rëndësishëm i proteinave dhe të tjera vlerave ushqyese, të cilat mund të zëvendësojnë produktet e mishit apo të bulmetit.

Gjithashtu kultivimi i tyre redukton përdorimin e plehrave kimike dhe bën pasurimin e tokës.

Të Dhënat Konkrete Për Kultivimin e Fasuleve Ndër Vite

Në Shqipëri prodhimi i tyre në vitin 2018 arriti në 24.5 mijë tonë, duke u rritur me 15% në krahasim me një vit më parë, pas tre vitesh që shënoi rënie të njëpasnjëshme, referuar të dhënave të Eurostat.

Për nga sasia e prodhimit, Shqipëria prodhon sa dyfishi i vendeve të rajonit si Serbia apo Maqedonia.

Prej vitit 2010 prodhimi më i lartë u arrit në vitin 2014 me 30 mijë tonë, ndërsa prej atëherë ka shënuar rënie.

Prodhimi i bishtajoreve në Serbi ishte 12.9 mijë tonë në vitin 2018, ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 12.4 mijë tonë, Bosnje dhe Hercegovina me 11.8 mijë tonë dhe Kosova me 6.1 mijë tonë.

Po Në Raport me Vendet e Bashkimit Evropian?

Prodhuesi më i madh i tyre ndër vendet e Bashkimit Evropian dhe vendeve kandidate për t’u anëtarësuar është Turqia, ku në 2018-n arriti një prodhim prej 1.2 milionë tonë.

Të dhënat më të fundit të Eurostat tregojnë se prodhimi i përgjithshëm i bishtajoreve në BE ishte 4.1 milionë  tonë në vitin 2018.

Ndërsa sipërfaqja e përgjithshme kushtuar kultivimit të bishtajoreve në BE ishte 2.1 milionë hektarë.

Shtetet Anëtare të BE-së me prodhimin më të madh të bishtajoreve në 2018 ishin Franca (840 mijë tonë), Spanja (690 mijë tonë), Polonia (460 mijë tonë), Gjermania (400 mijë tonë) dhe Lituania (380 mijë tonë).

Këto pesë vende së bashku përbënin 67% të prodhimit të përgjithshëm të BE-së në vitin 2018./Burimi. Monitor