Lakra e Kuqe e Lëpushës – Perimja E Veçantë Shqiptare

1.2k 0

Në zonën e Kelmendit në lartësinë e Lëpushës për më shumë se 70 vite kultivohet një specie e veçantë e lakrës së kuqe.

Fara e kësaj perimeje është ruajtur dhe trashëguar brez pas brezi për t’u mbjellë në këto toka.

Sipas të dhënave ku bazohet AgroWeb.org, kjo bimë aktualisht zë rreth 10-15% të tokave të mbjella me lakër.

Lakra e kuqe e Lëpushës, siç njihet edhe në këto zona, i përket familjes Brassica oleracea convar rubra.

Ajo është cilësuar si një kultivar i rrallë i cili së fundmi është future në listën e specieve të rrezikuara për zhdukje.

Një nga arsyet kryesore të rrezikimit të saj është se kjo lakër mbillet nga një numër i reduktuar fermerësh.

Gjithashtu rezulton se prej shumë vite nuk është punuar për seleksionimin dhe prodhimin e farës së saj.

Gjithsesi kjo perime është një ndër më të veçantat autoktone që rritet në zonën e Alpeve të Shqipërisë.

Kushtet e kultivimit të Lakrës së Kuqe të Lëpushës

Mbillet në ngastra të sheshta, me ekspozicion nga dielli, toka të thella e të pasura me lëndë organike, dhe me mundësi ujitjeje.

Pas përgatitjes së mirë të tokës, mbillen fidanët me kunj.

Mbjellja bëhet me rreshta me largësi 50-60 cm dhe bimët në rresht 25-30 cm.

Kryhen ujitje, plehërime dhe prashitje e bimëve në hapësirën në mes rreshtave.

Bima ka zhvillim mesatar, me masë gjethore me ngjyrë të purpurt.

Gjethet kanë nervaturë të theksuar, gjë që i jep edhe veçantinë dhe i bën të dallueshme nga lakrat e tjera.

Formon koka me madhësi mesatare 1,5 – 2,5 kg,  të rrumbullakëta, lehtësisht eliptike, të ngushta në bazë e më të gjera në majë, me ngjyrë të purpurt.

Mund të qëndroj në fushë deri nga fillimi i muajit Nëntor, më tej kokat vilen e ruhen në shtratifikim në tokë ose në hangarë, për konsum dimëror.

Në varësi të mikro-zonave klimatike, farat mbillen nga mesi muajit Mars dhe në fillim të Prillit.

Fidanët kalohen në fushë gjatë muajit Maj.

Prodhimi fillon në fund të Gushtit.

Kjo lakër është mesatarisht e qëndrueshme ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve.

Ama nga specialistët është vlerësuar se  nuk ka lidhje të rregullt të kokave dhe ndër vite ka humbur vlerat prodhuese.

Shkaku kryesor është pikërisht neglizhimi i seleksionimit dhe prodhimit të farës.

Preferohet për konsum të freskët në familje dhe për tregun lokal./AgroWeb.org