Legjendat dhe të Vërtetat për Karrotat Bebe

641 0

Në shumë prej tregjeve shqiptare, konsumatorët mund të blejnë paketime të vogla të karrotave bebe të qëruara dhe gati për konsum. Këto karrota të vogla kanë të njëjtat vlerat ushqimore si ato të mëdhatë. Karrotat bebe janë një variant tejet i lehtë për konsum dhe në disa raste janë më të ëmbla se karrotat normale dhe gjykohen si të mrekullueshme sidomos për fëmijët.

Karrotat bebe kanë nisur së fundmi të kultivohen në Shqipëri, jo vetëm për të plotësuar nevojat e tregut vendas, por edhe për eksport. Karrotat bebe janë kultivuar kryesisht në Fier, së bashku me rrepën bebe dhe produkte të tjera të veçanta.

Destinacioni përfundimtar i karrotave bebe të Fierit është Danimarka. Që nga viti 2009, Danish Green Garden, që do të thotë Kopshti i Gjelbër i Danimarkës është ngritur jo vetëm në Fier por së fundmi edhe në Pezë. Kjo fermë që administrohet nga dy sipërmarrës shqiptarë operon prej më shumë se 20 vitesh edhe në Kopenhagen. 

Por le të kthehemi tek karrotat bebe dhe t’i hedhim një sy vlerave të tyre sipas të dhënave të AgroWeb.org

Karrotat bebe janë të mbushura me beta karoten, që është një pigment antioksidant i cili u jep atyre ngjyrën karakteristike dhe mbron qelizat e trupit nga dëmet e ndryshme. Organizmi vetë e transformon beta karotenin në vitaminë A, e cila është e rëndësishme për ruajtjen e shëndetit të syve, sistemit imunitar dhe lëkurës.

Një sasi prej 84 gramësh karrota bebe përmban 120% të sasisë së nevojshme ditore të vitaminës A, 10 përqind të vitaminës C, 2 gramë fibër, 0 yndyrë dhe vetëm 35 kalori.

Duke qenë se karrotat bebe tregëtohen pëgjithësisht të qëruara dhe të pastruara, ato kanë nevojë të ruhen në frigorifer dhe kanë një jetëgjatësi të kufizuar. Shumë prej ushqyesve që gjenden tek lëkura humbasin si pasojë e pastrimit, ndonëse disa studime kanë treguar se prerja ose qërimi i karrotës zgjeron kapacitetin e antioksidantëve.

Sipas ekspertëve, qelizat e çdo produkti dhe në këtë rast karrotës, e perceptojnë prerjen ose qërimin si një ‘sulm’ të mirëfilltë. Rrjedhimisht stresi oksidues shumëfishohet n&eueuml; qeliza. Ato nisin të sintetizojnë molekulat e antioksidantëve për t’u mbrojtur nga sulmi në fjalë.

Disa ekspertë të tjerë janë të mendimit se karrotat bebe janë më pak ushqyese se karrotat e zakonta dhe përmbajnë 20% më pak vitaminë A dhe më pak vitaminë C që gjendet tek karrotat normale. Megjithatë, ky ndryshim në sasinë e ushqyesve nuk ka një ndikim të madh në shëndetin tonë të përgjithshëm.

Më poshtë do të lexoni disa fakte interesante të përgatitura nga AgroWeb.org, për karrotat bebe:

1. Farat e karrotës bebe mbillen në hapësira të ngushta për ta orientuar perimen të rritet në formë më të imët.

2. Gjithsesi, karrotat bebe kanë nevojë për hapësirë sepse rrënjët e tyre tejzgjaten nën dhé teksa perimja rritet.

3. Për të siguruar shëndetin e plotë të bimës së karrotës dhe kushtet optimale të tokës së mbjellë, fushat mbillen me karrota një herë në tre vjet. Gjatë kësaj periudhe, fushat mbillen me prodhime të tjera.

4. Kultivari i karrotës bebe mblidhet pas 120-140 ditësh. Ndërsa karrotat normale mblidhen pas 160-200 ditësh.

5. Karrotat bebe gjenden në pesë përmasa të ndryshme. Karrota më e vogël quhet “carroteenies.”

6. Nëse dëshironi të rindizni ngjyrën e karrotave që kanë humbur tonalitetin, atëherë zhytini karrotat në ujë me akull për disa minuta në mënyrë që ato të hidratohen.

7. Kartrotat bebe (dhe çdo produkt tjetër i para-prerë në treg) pastrohen duke përdorur ujë me pastrues organikë për të garantuar sigurinë e tyre.

8. Një karrotë bebe me përmasë mesatare përmban 4 kalori.

9. Një racion me 8 karrota bebe përmban rreth 30 kalori, 2.5 gramë fibër dhe më shumë se dyfish të sasisë së rekomanduar ditore të vitaminës A që shërben për forcimin e shikimit./AgroWeb.org