Lodra Jashtë Standardeve – Si të Parandaloni Rrezikun

247 0

Lodrat janë të preferuarat e çdo fëmije.

Dëshira e tyre për ditëlindje, 1 Qershor apo Vit të Ri, është ende një kukull, makinë apo formuese.

Sigurisht që edhe lodrat duhet të jenë në përputhje me standardet e përcaktuara nga institucionet e mbrojtjes së shëndetit dhe mjedisit.

Por mesa duket nga inspektimi i kryer gjatë periudhës Nëntor 2019 – Janar 2020, nga ISHMT, subjektet e importit dhe tregtimit të lodrave rezultuan se kishin shkelur normat ligjore të BE-së.

Sipas të dhënave të ISHMT, lodrat kishin substanca toksike në nivele tepër të larta të përbërësve të plastikës dhe metaleve të rënda.

Disa prej substancave shqetësuese të raportuara nga laboratorët e akredituar në Itali, janë: ftalat, boron, plumb.

Ndërkohë pas testimeve fizike të lodrave, të dhënat e publikuara nga ISHMT, treguan se grupmosha më e rrezikuar ishte 0-36 muaj.

ISHMT nënvizon faktin se substancat toksike, elementët alergjenë, mutagjenë dhe kancerogjenë mbartin rrezik real për jetën dhe shëndetin e fëmijëve.

Si të Dalloni Lodrat e Sigurta nga Ato të Rrezikshmet?

Hapi i parë që duhet të tregoni kujdes kur blini lodra, është që të shihni mirë etiketën.

Jo për të parë përbërësit, por për të gjetur nëse ka markën ‘CE’ në trup të saj.

Pra AgroWeb.org ju këshillon që të shihni me kujdes se ku është vendosur marka ‘CE’.

Lodrat të cilat nuk janë në përputhje me standardet e BE-së, zakonisht e kanë këtë markë vetëm në ambalazhin e saj.

Por diçka e tillë nuk është e përcaktuar nga legjislacioni i vendit tone.

Tregoni kujdes sigurisht edhe me përbërësit pasi shumica prej tyre shkaktojnë alergji të forta lëkure dhe të rrugëve të frymëmarrjes.

Hapat që u Ndërmorën nga ISHMT

Deri më tani, sipas të dhënave të publikuara nga Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, janë asgjësuar rreth 13 mijë lodra.

Ndërkohë 4810 lodra të tjera priten që të eliminohen sipas standardeve të përcaktuara në ligj./AgroWeb.org