Malësi E Madhe – Fermerët Zgjerojnë Sipërfaqet Me Bimë Mjekësore

443 0

Në Malësi të Madhe fermerët po shpejtojnë për mbjelljen e bimëve aromatiko-mjekësore, që janë edhe baza e ekonomisë së familjeve të tyre.

Muajt e gjatë të pandemisë nuk ndikuan në shitjen e produkteve të tyre, ndaj ata po shtojnë sipërfaqet e mbjella kryesisht me sherebelë.

Tonin Marku një fermer nga Bajza shprehet : “Më këto bimë medicinale-aromatike që kemi mbjellë në zonën tonë, ne jetojmë, mbajmë familjen dhe ushqehemi, por gjithashtu punësojmë edhe njerëz të tjerë në biznesin tonë.”

Një tjetër fermer nga fshati Stërbeq, Erjon Shabaj, i cili ka filluar mbjelljen tregon: “Kam parë bashkëfshatarë të tjerë, të cilët kanë mbjellur këtë bimë dhe pasur një rezultat të shkëlqyer.”

Agronomi Agim Rama, thotë se fermerët po mbështeten edhe nga programi për zhvillim ekonomik lokal, që zbatohet nga CNVP, Shqipëri.

Në Malësi të Madhe janë rreth 4000 fermerë që merren me kultivimin e bimëve aromatiko-mjekësore dhe sipërfaqja e mbjellë me to arrin në rreth 5000 hektarë.

Kjo e bën Malësine e Madhe, zonën kryesore të kultivimit të këtyre bimëve në Shqipëri, bimë të cilat eksportohen kryesisht në Amerikë.

“ Në Mars kur ne ishim në izolim të plotë, eksportet u rritën sepse bimët si sherebela, trumza, rigoni dhe livando, ndikonjnë në zbutjen e simptomave fizike dhe psikologjike të virusit COVID-19.” – shprehet agronomi Agim Rama.

Mark Rupa, këshilltar i CNVP Shqipëri, që financohet nga qeveria Suedeze, thotë se Malësia e Madhe është një nga 6 bashkitë që po mbështeten në përpjekjet e tyre për fuqizimin ekonomik të grave dhe burrave, që jetojnë në fshatrat e Shqipërisë.

Një nga drejtimet kryesore ku po mbështeten fermerët e zonave është edhe kultivimi i bimëve aromatiko-mjekësore.

“Momentalisht jemi në Madhësi të Madhe dhe po punojmë paralelisht në 6 qarqe të Shqipërisë. Fuqizimi ekonomik vjen vetëm nëse ne vëmë në efiçencë të plotë burimet natyrore që disponojmë. Pra punojmë tokat duke angazhuar kapacitetin njerëzor që kemi në fshat. Duke parë mundësitë dhe eksperiencën e mirë të krijuar, është parë si mundësi zhvillimi sektori i bimëve aromatiko-mjekësore. Ky projekt është mbështetur ekonomikisht nga qeveria Suedeze dhe po zbatohet nga CNVP.” – shprehet Mark Rupa, këshilltar i CNVP.

Për shkak të interest që po paraqesin eksportet në këtë periudhtë të pandemisë, fermerët e Malësisë së Madhe po zgjerojnë sipërfaqet e mbjella me bimë aromatiko-mjekësore duke shfrytëzuar edhe tokat që për një periudhë të gjatë janë cilësuar si jo produktive.

Marash Kolnika nga fshati Reç tregon : “Kemi pasur shumë toka që i kemi quajtur jo produktive dhe i linim vetëm për kullota. Mirëpo sot, erdhi koha që edhe këto toka po na japin të ardhura.”

Për shkak të vështirësive që ka sjellë periudha e gjatë e pandemisë, zoti Rupa thotë se kryesisht po mbështeten fermerët që kanë më shumë nevojë.

“Momentalisht po punohet për shtimin e sipërfaqeve, pra më shumë sipërfaqe të mbjelluara,më shumë prodhim dhe më shumë të ardhura për fermerët. Tani puna vazhdon në 92 ferma dhe deri në fund të janarit kemi synim të arrijmë të shtrijmë punën në rreth 150 ferma. Me kërkesë të bashkisë të Malësisë së Madhe, po fokusohemi tek fermerët që kanë më shumë nevojë, të cilët nuk po arrijnë t’i vënë në punë këto toka, por pa harruar edhe ato fermerë që kanë eksperiencë.”

Deri tani në Malësi të Madhe janë mbështetur një numër i konsiderueshëm fermerësh. Por gjatë vitit të ardhshëm ky numër pritet të rritet, mbështetur në praktikat më të mira duke garantuar cilësinë por edhe duke i mbështetur në modernizim e fermave, sigurimin e tregut dhe lehtësmin e marrdhënieve mes biznesit dhe fermerëve./Burimi:Zeri Amerikes