Malësia e Madhe Një Nga Vendet E Para Në Kultivimin e Bimëve Mjekësore

955 0

Fushat piktoreske në Malësinë e Madhe të familjes Skora, që kultivojnë dhe përpunojnë livandë e lloje të tjera bimësh mjekësore, janë shembëlltyrë frymëzuese për Shqipërinë.

Qindra hektarë fusha piktoreske në Malësi të Madhe të familjes Skora dhe fermerëve të zonës, janë të mbjella me bimë kurative duke nisur nga livanda e deri tek sherbela.

Kjo kompani, fituese e mbështetjes financiare nga programi ndihmës evropian për bujqësinë, ka arritur një nivel të certifikuar për të gjithë aktivitetin e saj.

Puna e pandaluar e fermerëve të kësaj zone e kanë kthyer kështu Malësinë e Madhe në një destinacion kryesor për eksportin e bimëve në shtete të shumta. Kërkesat vijnë nga kompani të huaja që prodhojnë spaunë natyral, parfume, kremra, vajra esencialë madje edhe medikamente.

Në Malësi të Madhe janë rreth 4000 fermerë që merren me kultivimin e bimëve aromatiko-mjekësore dhe sipërfaqja e mbjellë me to arrin në rreth 5000 hektarë. Kjo e bën Malësine e Madhe, zonën kryesore të kultivimit të këtyre bimëve në Shqipëri, bimë të cilat eksportohen kryesisht në Amerikë.

Deri tani në Malësi të Madhe janë mbështetur një numër i konsiderueshëm fermerësh. Por gjatë vitit të ardhshëm ky numër pritet të rritet, mbështetur në praktikat më të mira duke garantuar cilësinë por edhe duke i mbështetur në modernizim e fermave, sigurimin e tregut dhe lehtësmin e marrdhënieve mes biznesit dhe fermerëve./AgroWeb.org