Malësia e Madhe Zë Vendin e Parë Për Sasinë e Kultivimit Të Bimëve Mjekësore Aromatike.

777 0

Sipërmarrës që operojnë në kultivimin dhe tregimin e bimëve mjekësore, me mbështetjen financiare të qeverisë, po rrisin investimet në teknologjitë e përparuara, duke shtuar vlerën e eksporteve të bimë mjekësore në SHBA dhe Azi.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) zbatuese e skemave të mbështetjes së qeverisës në sektorin e bujqësisë, ka sjell rastin e Ludovikut nga Malësia e Madhe, që ka  investuar në kompaninë e tij “Muçaj” shpk, teknologji të re përpunimi, falë të cilit arrin të sjellë në treg një produkt cilësor të bimëve mjekësore të zonës së Malësisë së Madhe, të cilat eksportohen në SHBA, Azi etj.

Me anë të mbështetjes nga AZHBR nëpërmjet Skemës Kombëtare kompania ka modernizuar ambientet e tharjes së produktit, por edhe të pajisjeve të seleksionimit dhe pastrimit të tij, duke bërë gati për eksportin një produkt konkurrues.

Ludoviku tregon se sot janë mbi 400 fermerë të cilët sjellin prodhimin e tyre në këtë kompani, duke ju mundësuar kështu treg për prodhimet e tyre.

Malësia e Madhe zë vendin e parë në vendin tonë, për sasinë e kultivimit, grumbullimit dhe eksportit të bimëve mjekësore aromatike.

Kjo për shkak të potencialeve natyrore që ka kjo zonë në veri të vendit, por dhe politikave nxitëse të qeverisë për ripërtërirë traditën e banorëve të kësaj zone për t’u marrë me këtë aktivitet të rëndësishëm ekonomik që gjeneron punësim dhe të ardhura ekonomike.

Sot si asnjë herë më parë, zhvillimi i sektorit të bimëve mjekësore në Malësinë e Madhe ka marrë një zhvillim të dukshëm, në sajë të mbështetjes financiare që jep qeveria përmes Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural

vit pas viti zgjerohen gjithnjë e më shpejt të mbjellat që gjenerojnë punësim zinxhir, fitim të ndershëm, eksporte në rritje në zonën e Malësisë së Madhe, ku mbështetja nga AZHBR-ja është shtuar vijmësisht dhe do të rritet edhe më shumë në vazhdim.

Shqipëria është e njohur për praninë natyrale të bimëve mjekësore, por edhe kultivimi i tyre ka njohur rritje vit pas viti.

Me gati 12 000 tonë në vit, Shqipëria është një nga eksportueset kryesore të bimëve mjekësore në Europë por edhe në shumë vende të botës, kryesisht në SHBA.

Ky sektor përbën rreth 19 % të prodhimit bujqësor të vendit, duke e renditur në vendin e dytë për nga rëndësia. Ndërsa numëron të punësuar mbi 100 mijë persona dhe në kushtet e pandemisë, tregoi se ishte sektori që jo vetëm që nuk u prek, por diversifikoi prodhimin.

Gjatë vitit 2020, Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural ka financuar 808 projekte në mbjelljen edhe përpunimin e tyre, me një sipërfaqe prej 1097 hektarë dhe një shumë prej 289 363 181 lekë.

Rajoni më i rëndësishëm për prodhimin dhe përpunimin e bimëve mjekësore është Shkodra me 60 subjekte të financuara dhe 898 hektarë të mbjellë./Burimi:ATA