Të freskëta plot shije, sapo kanë dalë në treg! Manat e njohura ndryshe edhe me emrin Duda kanë përdorim të gjerë në mjekësinë popullore ku përdoren frutat dhe gjethet.
Frutat e manit konsumohen të freskëta, ato janë freskuese dhe të shëndetshme.
Manat përmbajnë rreth 9 për qind sheqer, acide organike, taninë, kripëra të ndryshme etj.
Por AgroWeb.org ju kujton se një mënyrë shumë e mirë për të përfituar nga manat është pekmezi apo shurupi i tyre.
Përgatitja e pekmezit nuk kërkon sheqer apo aditivë, që do të thotë se ky lëng është i ëmbël në mënyrë natyrale.
Pekmezi përgatitet nga zierja e manave të çfarëdo ngjyre.
Gjatë pranverës, në shumë fshatra të vendit, mblidhen manat dhe prej tyre nxirret lëngu karakteristik.
Lëngu i manave hidhet në kazanë bakri, ku përzihet dhe zihet deri sa të trashet në formën e mushtit.
Pasi proçesi i gjatë i zierjes përfundon, lëngu vendoset në kavanozë dhe ruhet për gjithë vitin.
Pekmezi ose shurupi i manave përdoret për acarimet e zgavrës së gojës si stomatitet dhe faringitet.
Në këto raste lyhet goja dhe gryka me pekmez, sidomos në darkë para fjetjes.
Pekmezi përdoret, gjithashtu, në mjekimin kundër anemisë, duke u dhënë fëmijëve ose të rriturve nga 2-3 lugë gjelle në ditë.
Nëse e konsumoni në mëngjes, pekmezi mund t’ju japë shumë energji për gjithë ditën.
Shija e tij mund të ngjasojë me atë të mjaltit, por të një niveli më superior.
Pekmezi mund të shijohet në shumë trajta të ndryshme.
Ai përdoret në ëmbëlsira si zëvëndësues natyral i sheqerit në proçesin e pjekjes.
Por përveç pekmezit, edhe lëngu i manave të freskët ofron vlera shumë mirëbërëse për shëndetin, sidomos në pastrimin e gjakut në ciklet e stinës së pranverës, veti të cilat AgroWeb.org ju fton t’i ndiqni në vijim.
Vlerat e Lëngut të Manave
Shëron sëmundjen e membranës së gojës tek të rriturit dhe fëmijët
Lehtëson infeksionet e fytit
Ul tensionin e lartë të gjakut
Pastron gjakun në stinën e pranverës
Rregullon punën e organeve të sistemit të tretjes dhe ndihmon tretjen e ushqimit
Largon lodhjen dhe plogështinë dhe rrit rezistencën e organizmit
Përdoret për kurimin e anemisë, problemeve të tretjes dhe gastritit kronik
Si ta përgatisni
Shumë thjeshtë! AgroWeb.org ju udhëzon që manat e freskëta i shtrydhni në mikser dhe përfitoni një lëng magjik, i cili nëse pihet në mëngjes do t’ju mbushë me energji dhe dinamizëm.
Mushtin e frutave të manit mos e hidhni, por mund ta përdorni si shtesë në brumin e ëmbëlsirave tuaja./AgroWeb.org