Dita Botërore e Mjedisit 2018 – Stop Ndotjes Nga Plastika

755 0

5 Qershori, Dita Ndërkombëtare e Mjedisit, është dita më e madhe botërore në mbrojtje të natyrës.

Këtë vit tema e Ditës Botërore të Mjedisit është Stop Ndotjes nga Plastika.

Sipas një vlerësimi, rreth pesë miliardë deri në një trilionë qese plastike përdoren çdo vit në mbarë botën.

Edhe pse pjesërisht ajo është akoma falas për blerësit, qeset plastike kanë një kosto të lartë mjedisore dhe janë një nga format më të zakonshme të mbetjeve.

Ndotja nga plastika është një problem i madh mbarëbotëror dhe një nga sfidat më të mëdha të kohës sonë.

Megjithëse vendet e vogla si Shqipëria janë kontribues të vegjël të mbetjeve të plastikës në krahasim me vendet dhe ekonomitë më të zhvilluara, në vendin tonë shqetësimi është prezent.

Ai është më i dukshëm, kur hedhim një vështrim në plazhet e Adriatikut ose në shtretërit e lumenjve në të gjithë vëndin.

Plastika shumë shpesh përfundon në natyrë, duke ndotur qytetet, lumenjtë dhe në fundet e deteve, ose digjen në fusha duke lëshuar kimikate toksike të dëmshme të quajtura dioksina dhe që shkaktojnë ndotje të ajrit.

Frutat dhe perimet shiten ende në qese plastike, kështu që me një pazar të vetëm, shtëpia “furnizohet” me një dyzinë çantash.

Ndërkohë që përgjegjësia më e madhe për të ndërmarrë veprime të menjëhershme qëndron ende në duart e qeverive dhe kompanive të mëdha, secili prej nesh mund të ulë konsumin e tij të plastikës.

Historiku

Dita e Mjedisit është themeluar në vitin 1972 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e që na kujton takimin e parë të madh ku u fol në lidhje me mjedisin global. Ishte pikërisht Konferenca e Stokholmit mbi Mjedisin.

Nga ai takim i rëndësishëm, i cili do të shënjonte më pas të gjithë qasjen tonë globale ndaj mjedisit, lindi UNEP.

Programi i Mjedisit i Kombeve të Bashkuara, i cili ka për qëllim të theksojë rëndësinë e natyrës, pa të cilin jeta jonë do të ishte kthyer me kokë poshtë, por edhe të na bëjë të reflektojmë mbi veprimet që të gjithë ne mund të ndërmarrim për të përmirësuar kushtet e mjedisin.

Ekspertët pohojnë se nëse trendet aktuale të popullsisë dhe të konsumit do të vazhdojnë me këto ritme njerëzimi do të ketë nevojë për ekuivalentin e dy tokave për të mbështetur veten deri në vitin 2030.

Aktivitete në promovimin e Ditës Botërore të Mjedist do të mbahet në disa prej qyteteve kryesore të Shqipërisë me forume të hapura, ku do të diskutohet mbi problemet më të ngutshme mjedisore me të cilat përballet vendi ynë dhe gjetja e mënyrave për t’i parandaluar ato, duke u ndërgjegjësuar më parë për to./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.