Mani – Pema me frutet tradicionale shqiptare

3.4k 0

Manat janë ndër frutat që përcjellin kujtime të lumtura të fëmijërisë për shumë prej nesh. Sa prej jush i janë ngjitur pemëve në kërkim të shijes fantastike të manave gjatë pushimeve tek gjyshërit? Manat janë shumëngjyrëshe dhe preferencat po ashtu. Ëmbëlsia e tyre është e pakrahasueshme.

Në Shqipëri, manat gjenden të kultivuar nëpër kopshte, por edhe pemishte të mirëfillta. Frutat e manit konsumohen të freskëta, ato janë freskuese dhe të shëndetshme. Prej tyre përgatitet një reçel i rrallë, madje në disa zona të vendit përgatitet një pekmez në formën e shurupit të trashë, i cili të mrekullon shijen. Përveç frutave të freskëta, përdorimi më i përhapur dhe i njohur është rakia e manit, e cila vijon të trullosë ëmbëlsisht shqiptarët.

Manat janë pjesë e familjes Moraceae që përmban mbi njëqind specie të këtij fruti. Këto specie nuk dallohen nga ngjyra e frutit por nga ngjyra e lules dhe gjetheve. Megjithatë, tre specie të kësaj bime janë shumë të rëndësishme në aspektin ekonomik:

Mana e zezë (Morusi Nigra) me origjinë në Azinë Perëndimore

Mana e kuqe (Morus Rubra) me origjinë në Shtetet e Bashkuara

Mana e bardhë (Morus Alba) me origjinë në Kinën qendrore dhe lindore

Shumica e manave që njeh konsumatori janë ngjyrë të bardhë ose vjollcë kur janë të pjekura, por mund të gjenden edhe në ngjyra të tjera.

Manat e bardhë në veçanti janë të pasur me flavonoidë dhe me substanca që luftojnë inflamacionin dhe kancerin. Antioksidantët e shumtë që gjenden tek manat e bardhë, njëlloj si edhe tek agrumet, janë antibiotikë natyralë. Manat e bardhë, të pasur me hekur dhe vitaminë C, janë të fuqishëm në luftën kundër plakjes madje ulin rrezikun e atakut në zemër.

Vlerat shëndetësore të manave

Këto fruta plot tul të shijshëm kanë pak kalori (43 kalori në 100 gramë). Ato përmbajnë një sërë elementësh që promovojnë shëndetin e mirë siç është pigmenti polifenol, antioksidantë, minerale dhe vitamin që janë të rëndësishme për organizmin.

Manat janë të pasura me flavonoidë të njohur si “anthocianinë” të cilat sipas studimeve shkencore kanë efekt kundër qelizave të dëmshme, plakjes, sëmundjeve neurologjike, inflamacionit, diabetit dhe infeksioneve bakteriale.

Manat përmbajnë resveratrol një tjetër antioksidant i fuqishëm që mbron kundër atakut në zemër. Ky element forcon mekanizmat molekularë në enët e gjakut duke parandaluar përkeqësimin e tyre që rrit tensionin e gjakut.

Manat janë një burim i shkëlqyer i vitaminës C, në 100 gramë mana gjendet 36.4 mg vitamin C ose 61% e dozës së rekomanduar ditore.
Manat përmbajnë sasi më të vogla të vitaminës A dhe E. Konsumimi i manave i jep trupit një sërë antioksidantësh dhe flavonoidësh të tjerë përfshirë zea ksanthinën dhe beta karotenin, në sasi më të vogla por mjaft domethënëse. Së bashku këta përbërës ofrojnë mbrojtje të madhe kundër efekteve të dëmshme të radikaleve të lira dhe riaktivizojnë përçimin e oksigjenit në organizëm

Përbërësi zea-ksanthin që gjendet tek manat ofron shërbimin e tij veçanërisht tek sytë. Funksionet antioksidante të këtij përbërësi mbrojnë retinën e syrit janë rrezet e dëmshme ultraviolet sepse kryejnë rolin e një bllokuesi të dritës.

Manat janë një burim i pasur i hekurit. Kjo në fakt është një veti unike në rastin e frytave të tilla. Në 100 gramë mana gjenden 1.85 mg hekur (23% e dozës së rekomanduar ditore). Hekuri është një element përbërës i hemoglobinës brenda qelizave të kuqe të gjakut dhe përcakton aftësitë përçuese të oksigjenit në gjak.

Manat janë gjithashtu një burim i pasur i mineraleve si kaliumit, manganit dhe magnezit. Kaliumi është një përbërës i çmuar i qelizave dhe lëngjeve trupore që mban nën kontroll rrahjet e zemrës dhe tensionin e gjakut.

Manat janë të pasura me grupin e vitaminave B dhe vitaminën K. Ato përmbajnë sasi të konsiderueshme të vitaminës B-6, niacinës dhe acidit folik. Këto vitamina i japin organizmit më shumë fuqi në përpunimin e karbohidrateve, proteinave dhe yndyrnave.

Për fat të mirë sot nuk na duhet të ngjitemi nëpër pemë për të ngrënë mana. Ato mund t’i gjejmë kudo nëpër treg dhe përveç vlerave mund të rendim të lumtur në kujtime. /AgroWeb.org