Barishtja Mesdhetare Që Mahnit Shqiptarët

260 0

Majdanozi është një barishte mesdhetare e bukur dhe mjaft e shëndetshme. Ajo i jep ngjyrë gatimeve tona. Por mos mendoni se majdanozi përdoret thjesht për zbukurim. Fundja, majdanozi është rritur mbi tokë për më shumë se 2000 vjet dhe përfitimet që vijnë prej tij janë të shumta.

Majdanozi ka qenë dhe mbetet një nga përbërësit më të përdorur në gatimet e shqiptarëve. Amvisat e përdorin në sallata, në gjellë, në marinime të ndryshme dhe së fundi edhe e gjejmë edhe si ingredient në përzierjet e lëngjeve të shtrydhura të frutave dhe perimeve. Çmimi i lirë i majdanozit e ka ndihmuar këtë të fundit të mos i ndahet për asnjë moment tavolinave të shqiptarëve. Me 20 Lekë tufa, çdokush mund ta ketë të vetë këtë barishte të shëndetshme.

Majdanozi është i pasur me shumë vitamina si vitamin C, B 12, K dhe A. Kjo do të thotë që majdanozi e mban sistemin imunitar mjaft të fortë, forcon kockat dhe i bën mirë sistemit nervor.
Majdanozi ndihmon në largimin e lëngjeve të tepërta nga organizmi. Si rrjedhojë është një mbështetje e madhe për veshkën dhe funksionin e saj. Megjithatë, majdanozi përmban një element të njohur si oksalates që mund të shkaktojë probleme tek ata njerëz që vuajnë nga simptoma ekzistuese të veshkave apo fshikëzës së tëmthit.
Përdorimi i rregullit i majdanozit mund të mbajë nën kontroll tensionin e gjakut. Acidi folik që gjendet tek kjo barishte është si një tonik për zemrën.

Vaji esencial i majdanozit mund të përdoret për masazh të skalpit e si rrjedhojë redukton rënien e flokëve.
Përdorimi ditor i majdanozit ul dhimbjet e kyçeve, për shkak të vlerave anti-inflamatore të tij.

Çaji me majdanoz çtensionon muskujt dhe stimulon tretjen.
Studimet kanë treguar që majdanozi, në veçanti vajrat esencialë të tij, luajnë një rol në parandalimin e tumorëve. Madje shkencëtarët e kanë renditur majdanozin, një barishte me aftësi mbrojtëse në listën e ushqimeve që duhen përdorur kundër këtyre sëmundjeve.

Majdanozi luan një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit të syrit. Nëse kaloni orë të tëra para kompjuterit, atëherë duhet të konsumoni majdanoz më shpesh.
Shkencëtarët e Universitetit të Veronës kryen një studim në vitin 2014 mbi potencialet e substancave natyrale në luftën kundër alergjive. Konsumimi i rregullt i majdanozit forcon rolin e një hormone të quajtur adiponektinë që ka efekte anti-alergjike.

Si ta rrisësh majdanozin në shtëpinë tënde

Të blesh majdanoz është si të blesh një buqetë me trëndafila të freskët. Edhe në rastin e kësaj barishteje, freskia është mjaft e rëndësishme. Gjethet duhet të jenë të gjelbra plot shkëlqim. Kërcinjtë të fortë. Qesen plastike duhet ta lësh të hapur që të marrin frymë. Para se t’i konsumosh duhet t’i lash me ujë të vakët.

Majdanozin mund ta rrisësh vetë në shtëpi. Ajo që të duhet është një vazo balte, dhe organik dhe një kërcell i vogël e i freskët. Në fund të vazos duhet të vendosësh disa gurë të vegjël që të ndihmojnë me kullimin e ujit. Më pas duhet të hedhësh dheun dhe të vendosësh në të bimën e vogël. Ujite vazon herë pas here dhe sigurohu që ndriçimi natyral është i mjaftueshëm. Shumë shpejt do të shohësh gjethet e bukura të gjelbra të nxjerrin krye. Mjaftojnë dy ose tre bimë dhe kështu ke siguruar dozën e mjaftueshme të majdanozit për gjithë verën dhe vjeshtën./AgroWeb.org/