Masat Po Lehtësohen, Por Këto Rregulla Janë Më Të Rëndësishme Se Kurrë

370 0

Jeta ka ndryshuar rrënjësisht pas pandemisë së koronavirusit dhe jo pak njerëz janë bërë paranojakë prej këtij virusi të padukshëm.

Një kollë apo tështimë e dikujt mund të shërbejë si nxitës i mëtejshëm i frikës dhe paranojës.

Megjithatë, ndjekja fije për pe e udhëzimeve të autoriteteve dhe protokolleve të shëndetit është mënyra më e mirë për tu ndier të mbrojtur në këtë situatë.

Lani Duart

Larja e duarve është e një rëndësie jetësore për të shmangur infeksionin.

Ekspertët këshillojnë që duart të lahen për mbi 20 sekonda, me ujë të rrjedhshëm e sapun.

Duart duhen larë sa herë dalim në publik, para dhe pas ngrënies dhe pas përdorimit të banjës.

Mos Prekni Fytyrën

Nëse prekni fytyrën apo fërkoni sytë e hundën me duar të palara, jeni ndjeshëm më të rrezikuar nga koronavirusi.

Fytyra preket me qindra herë gjatë ditës që do të thotë se ky është një zakon i vështirë për tu mbajtur nën kontroll, por jo i pamundur.

Nëse doni të prekni fytyrën, bëjeni këtë në shtëpi, pasi të keni larë duart.

Mos I Hani Thonjtë

Gjatë periudhave stresuese, njerëzit bëjnë veprime të nxitura nga subkoshienca siç janë ngrënia e thonjve apo mbajtja e stilolapsit në gojë.

Këto veprime janë të rrezikshme dhe rrisin ndjeshëm gjasat e infeksionit.

Nëse ngrënia e thonjëve është diçka prej të cilës nuk hiqni dorë kollaj, të paktën bëjeni në shtëpi kur të keni larë duart.

Pastroni Dhe Disinfektoni Shtëpinë.

Shtëpia është strehë e shumë baktereve, qelizave të vdekura dhe mikro- organizmave të dëmshëm.

Sipërfaqet më të ndotura të shtëpisë, siç janë banaku, dorezat, tavolina, e të tjerë duhen pastruar dhe disinfektuar rregullisht që të ndiheni sa më të mbrojtur.

Mos Rezervoni Pushime Jashtë

Nëse dëshironi të mbroheni prej koronavirusit, kjo nuk është një periudhë fort e mirë për të udhëtuar jashtë shtetit.

Ekspozimi ndaj koronavirusit do të jetë shumëfish më i lartë nëse ju zgjidhni të udhëtoni në një vend të huaj.

Ruajini planet për një kohë tjetër më të përshtatshme.

Kujdes Çfarë Prekni Në Publik

Nëse dilni për shëtitje në park, frenojeni veten të mos prekni stola e sende të tjera.

Nëse ju duhet të shkoni në banjë, përpiquni të shkoni sa më parë në shtëpi dhe mos përdorni banjot publike.

Sa më pak gjëra të prekni në publik, aq më pak të rrezikuar do të jeni.

Informohuni Por Me Karar

Fiksimi pas çdo lajmi për koronavirusin është shkatërrimtar për shëndetin mendor.

Sigurisht që duhet të informoheni për atë që po ndodh rreth nesh, por siç thotë populli: “gjella me kripë, e kripa me karar”.

Zgjidhni një orë të ditës që të lexoni lajmet dhe më pas merruni me gjërat që ju bëjnë të ndiheni më mirë./AgroWeb.org