Maska Për 80% Të Popullsisë Që Të Shpëtojmë Nga Koronavirusi

342 0

Maskat mund të jenë të një rëndësie jetësore për të mbajtur COVID-19 larg dhe mbi të gjitha për të shmangur izolime të mëtejshme në të ardhmen e afërt apo edhe të largët.

Shumë vende të botës po përpiqen të dalin nga karantina me hapa të ngadaltë e të kujdesshëm duke theksuar se njerëzit duhet të vazhdojnë të mbajnë maska në publik.

Një studim i ditëve të fundit thotë se maska do të bëhet pjesë e garderobës sonë të përditshme.

Studimi u krye nga ekspertë të disa universiteteve ndërkombëtare.

Këtu përfshihen University of Cambridge, Hong Kong University of Science & Technology, Ecole de Guerre Économique në Paris, University College London, dhe Population Research Institute në Finlandë.

Studimi u përqendrua tek dy modele hipotetike të ecurisë së pandemisë së COVID-19 dhe të ndikimit të mbajtjes së maskës në përhapjen e virusit.

Mbi 80% e Popullësisë Duhet Të Mbajë Maska Që Të Shpëtojmë Nga Koronavirusi

Gjetjet e studimit treguan se kur shumica e popullësisë mban maskë që mbulon hundën dhe gojën, pëprhapja e virusit ulet ndjeshëm.

Zbatimi i distancimit social por pa u shoqëruar me mbajtjen e maskës është i pamjaftueshëm për të shmangur një rritje të infeksioneve pas lehtësimit të masave.

Një praktikë e tillë mund të shkaktonte deri në 1 milionë vdekje në një popullësi sa ajo e Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas studimit, përdorimi i distancimit fizik dhe maskave nga 50 deri në 80 përqind e popullësisë mund të nxisë një rënie të ndjeshme të rasteve të infeksionit.

Ajo që është më kritike në këtë studim është se të dyja modelet hipotetike tregojnë se se nëse 80-90 përqind e popullëisë do të mbante maskë, sëmundja eventualisht do të eliminohej.

Nëse njerëzit nuk mbajnë maskë, atëherë vala e dytë do të pritet brenda 4 deri në 5 muajve.

Sikur të mos mjaftonte pandemia, një valë e dytë është gjëja e fundit që dëshiron secili prej nesh.

Këshilla të ngjashme janë dhënë edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Një studim i kësaj të fundit i publikuar në revistën Lancet zbuloi gjithashtu se përdorimi i maskave mund të ndihmojë në kufizimin e përhapjes së virusit.

Thënë shkoqur, nëse duam t’i shpëtojmë ‘kthetrave’ të koronavirusit, mbi 80 përqind e popullësisë së globit duhet të mbajë maska në publik./AgroWeb.org