Mbetjet e Përpunimit të Ullirit, Mundësi Energjie me Kosto të Ulët për Ndërmarrjet e Vogla

471 0

Përdorimi i mbetjeve organike nga vaji i ullirit dhe industri të tjera mund të jetë transformues për furnizimin me energji të sipërmarrjeve të vogla, duke sjellë përfitime ekonomike.

PNUD tha sot se “vendosja e teknologjive bio-energjetike në vend të kaldajave me karburant, që përdorin sot bizneset bujqësore kryesisht ato të serrave do të çojë në ulje të ndjeshme të emisioneve të gazrave serrë dhe do të ndihmojë Shqipërinë në transformimin e saj drejt zhvillimit të ulët të karbonit”.

Agjencia e Zhvillimit Industrial të Kombeve të Bashkuara (UNIDO), agjenci e specializuar nga Kombet e Bashkuara që promovon zhvillimin industrial dhe qëndrueshmërinë mjedisore, në bashkëpunim me Qeverinë e Shqipërisë, po zbatojnë një projekt të financuar nga GEF-5  me 4.5 milionë usd për demonstrimin e përdorimit të biomasës për prodhimin e energjisë në industrinë e vajit të ullirit, duke synuar dhe angazhuar NVM-të në iniciativat që promovojnë përdorimin e teknologjive të energjisë inovative dhe miqësore me mjedisin.

Teknologjia bio-energjetike

Objektivi i përgjithshëm i projektit është të rrisë përdorimin e aplikacioneve të teknologjisë bio-energjetike për prodhimin e energjisë në industrinë e vajit të ullirit përmes aplikimit të suksesshëm në ndërmarrjet e synuara.

Projekti GEF-UNIDO synon të transformojë tregun për përdorimin e mbetjeve organike nga vaji i ullirit dhe industri të tjera për prodhimin e energjisë. Ai synon ta arrijë këtë përmes nxitjes së investimeve në ulliri organik dhe industri të tjera, projekte të mbetjeve të energjisë, përmes demonstrimit të tregut, zhvillimit të instrumenteve të duhura financiare, ndërtimit të kapaciteteve dhe përmes forcimit të politikës dhe mjedisit rregullator.

Projekti bazohet në qasjen për të angazhuar sektorin privat, duke lehtësuar zhvillimin e qëndrueshëm industrial dhe forcimin e kornizës së politikave për të mundësuar një ankorim në institucionet kombëtare dhe kështu të nxisë rritjen ekonomike. Duke punuar ngushtë me NVM-të, ministritë kombëtare, agjencitë partnere, akademia, shoqatat industriale, institucionet financiare, investitorët e mundshëm dhe qendrat autonome të kërkimit në vend dhe jashtë, projekti do të krijojë një fushatë dhe platformë efektive të ndërgjegjësimit për të mobilizuar interesin midis përfituesve të synuar dhe për të siguruar një përdorim i shtuar i energjisë së biomasës në sektorët industrialë.

Statistikat Zyrtare

Sipas statistikave zyrtare tregojnë se në vitin 2019 prodhimi i ullirit shënoi sasinë e 98 313 tonëve dhe prodhimi i vajit të ullirit po në këtë vit arriti në 20 038 tonë. Ndërsa Shqipëria po zgjeron krahas prodhimit edhe eksportin e vajit të ullirit “Made in Albania”.

Niveli më i lartë i prodhimit të ullirit regjistrohet në qarkun e Beratit me mbi 38 mijë tonë, pasuar nga qarqet Fier me rreth 33 mijë tonë dhe Vlorë me mbi 17 mijë tonë.

Prodhimi vendas i ullinjve, mbulon nevojat e konsumit në tregut vendas dhe një pjesë e konsiderueshme e këtij prodhimi kalon në përpunim për vaj ulliri.

Sipas INSTAT, ndaj prodhimit total të ullirit, 79% përfaqësohet nga ullinjtë për vaj dhe 21% nga ullinjtë për tavolinë.

Investimet në industrinë përpunuese të vajit të ullirit, kanë përmirësuar cilësinë e standardet e këtij produkti i cili tashmë është mjaft i kërkuar për eksport edhe në tregjet europiane.

Kultura e ullinjve në Shqipëri është një traditë shekullore, vlera dhe rëndësia e këtij prodhimi vitet e fundit po mbështetet intensivisht edhe nga qeveria.

1 milion euro ishte fondi i disbursuar një vit e gjysmë më parë, si grante për projektin “Zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të ullirit”, që mbështet fermerët  për shtimin e sipërfaqeve të mbjella me ullinj, për përmirësimin e mekanizimit dhe rritjen e kapaciteteve të prodhimit të vajit të ullirit./ATSH