Me Standardet e BE – Bulmeti Shqiptar Gati Për Tregjet e Huaja

271 0

Shqipëria bëhet gati të nisë eksportin e produkteve blegtorale (qumësht, gjalp, djathë) në tregjet e huaja.

Zv.drejtoresha e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinar (ISUV), Jona Boçi, tha se, “Shqipëria është një vend në zhvillim që ka bërë ndryshime kolosale në drejtim të rritjes së sigurisë ushqimore. Nga ferma që prodhonin për vetëkonsum dhe shisnin në rrugë sot kemi një tjetër nivel të ri zhvillimi të operatorëve të biznesit ushqimor, kemi kompani të mëdha prodhimi si për prodhimet e bulmetit dhe për agropërpunim që po synojnë të rrisin  eksportet në tregjet e huaja.”

Gjatë një interviste televizive, ajo shpjegoi se, ky hop cilësor ka ardhur si rrjedhojë e politikave për rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimit të këtij sektori me impakt zhvillimin bashkëkohor.

Forcimi i Sigurisë Ushqimore

Ky orientim që i jep shteti biznesit e vë përpara përgjegjësisë për të krijuar standarde dhe rritur sigurinë ushqimore, tha Boçi.

Sipas saj, shumë shpejt do të hapen eksportet e prodhimeve blegtorale shqiptare drejt tregjeve të huaja. “Ndërsa është konsoliduar eksporti i prodhimit bujqësor, kemi dy-tre biznese të fuqishme në përpunimin blegtoral, që kanë investuar në teknologji dhe synojnë eksportin e djathit, gjalpit e qumështit në tregjet e huaja”, – u shpreh Boçi.

Ajo bëri të ditur se, ISUV është i vetmi institut reference në Shqipëri dhe jemi në të njëjtat nivele me institutet e rajonit dhe synojmë nivelin e instituteve europiane, dhe kjo është e matshme me besueshmërinë e rezultateve të testeve që kryejmë.

Besueshmëria e rezultateve

“Një nga pikat tona të forta është se këtë vit ne e filluam me 49 teste të tjera laboratorike të akredituara. Janë detyrimet tona ndaj Brukselit dhe ne monitorohemi dy herë në vit nga Brukseli për besueshmërinë e rezultateve”, – tha ajo.

Zv.drejtoresha e ISUV deklaroi se ushqimet që shiten në treg janë të sigurta, por ka raste sporadike me probleme, ndaj po intensifikojmë ndërgjegjësimin e qytetarëve që të blejnë në merkato e njësi që monitorohen nga institucionet./AgroWeb.org