Më të Freskëtat e Shkurtit dhe Çmimet e tyre

271 0

Muaji shkurt vjen me lajme të reja për tregun e fruta-perimeve në Shqipëri. Sipas të dhënave nga tregu Agro-Ushqimor Tiranë, prodhimi vendas i portokalleve dhe shegëve ka përfunduar, ndaj këto fruta importohen nga Greqia me çmimet respektive 60-90 lek/kg për portokallet dhe 200 lek/kg për shegët.

Greqia mbetet partneri kryesor i Shqipërisë në tregtinë e fruta-perimeve. Përveç dy produkteve të sipërpërmendura, nga Greqia furnizohemi me patllixhan për 180 lek/kg, speca jeshil për një çmim që varion nga 160 në 250 lek/kg, lulelakër 80 lek/kg dhe selino për 200 lek/kg. Si gjithmonë importojmë nga Greqia edhe frutat tropikale si mango për 400 lek/kg, kivi për 150 lek/kg apo ananasin për 200 lek/kg.

Nga prodhimet e vendit mund të veçojmë arrat e Peshkopisë me një çmim minimal prej 300 lek/kg, specin jeshil të Lushnjës për 180 lek/kg, domatet dhe karrotat e Divjakës respektivisht me çmimet 130 lek/kg dhe 60 lek/kg. Divjaka gjithashtu e furnizon tregun edhe me brokoli, i cili nga 350 lek/kg që shitej në janar, tani shitet për vetëm 130 lek/kg.

Në këtë periudhë, rajoni i Korçës tregton fasulen e bardhë, e cila shitet me çmimin që varion nga 180 në 220 lek/kg dhe fasulen e kuqe për 250 lek/kg. Konkurenti i fasules së Korçës është Egjipti, i cili eksporton në Shqipëri fasulen e bardhë për 220 lek/kg dhe atë të kuqen për 250 lek/kg. Vlen për t’u përmendur se megjithëse çmimi është i njëjtë, konsumatorët duhet të orientohen drejt produkteve të vendit pasi vijnë të freskëta dhe me cilësi më të sigurtë.

Krahasuar me muajin janar, çmimi i hurmës së Tiranës është ulur me 10 lek, duke shkuar në 50 lek/kg ndërsa çmimi i limonit vendas është rritur me 50%, duke u shitur për 120 lek/kg nga 80 lek që shitej një muaj më parë.

Nga Turqia vazhdon të importohet kungulli për 200 lek/kg dhe kastraveci për 230 lek/kg, ndërsa Kina vijon të eksportojë në Shqipëri hudhrën e thatë për 300 lek/kg, megjithëse Korça e ka furnizuar tradicionalisht tregun me këtë produkt, madje me të njëjtin çmim.

Të gjitha çmimet e mësipërme janë çmime me shumicë të tregtimit të frutave dhe perimeve, të cilat mund t’i krahasoni me çmimet që gjeni në tregun apo marketet pranë vendndodhjes tuaj./AgroWeb.org