Dimër Natën, Verë Ditën – 2017 drejt rekordit të nxehtësisë

194 0

Eshtë rekord. Vitin e kaluar ‘plasëm’ nga vapa dhe mezi pritëm të na vinte dimri. Pastaj në Janar u zgjuam me borë. Në Shkurt ka filluar vapa. Ju kujtojmë që jemi ende në muajin shkurt, praktikisht ende dimër. Dhe gjatë ditës bën vapë, shumë vapë nëse jeni të ngarkuar me veshjet e dimrit.

Për parashikuesit e motit, kjo është një verë e vogël në mes të dimrit. Temperaturat në vend kapën rekordin javë e kaluar, duke arritur në mbi 20 gradë Celcius në gati të gjithë territorin përfshirë zonat fushore dhe në ato malore, pra temperatura krejt të pazakonta për stinën.

Ditë me shi na presin ende, por përpara se të bëni gati çadrën dhe të mendoni se dimri u rikthye, bëni mirë të hiqni pallton e të uleni e të lexoni më tej. Shkencëtarët thonë se 2017 do të jetë një vit i nxehtë, shumë i nxehtë, madje edhe më i nxehtë se 2016.

Por a nuk ishte dhe viti i kaluar një vit i nxehtë, madje dhe më i nxehti në glob. Mesa duket jo. Sipas NASA, viti 2016 ka regjistruar temperaturat më të larta që janë parë ndonjëherë. Për marsin meterologët e huaj thonë që do të ketë surpriza, ndërsa për verën ka shumë gjasa që të piqemi nga zhegu, njëlloj si dy stinët e fundit të verës.

Pas rekordit alarmues për temperaturat e 2016, shkencëtarët presin nga 2017 një tjetër vit që do të thyejë rekordet. Zyra meteorologjike britanike përshembull, thotë se bota në vitin 2017 “do të jetë po aq e nxehtë, në mos më shumë” se në vitin 2016.

Nëse 2017 do të shënojë një tjetër rekord për temperaturat e larta, atëherë do të ishte hera e parë që tre vite njëri pas tjetrit të jenë kaq të nxehtë. Një fenomen që nuk ka ndodhur kurrë më parë.

Ngrohja globale është edhe si pasojë e El Niño. Fenomeni i ujit të ngrohtë në lindje të Paqësorit mendohet se ka kaluar pikun, por sërish ka qenë një shtysë e vogël në rritjen e temperaturave globale. Shkaktari kryesor janë ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu.

Pavarësisht faktit nëse viti 2017 do të shënojë një rekord të ri ose jo, disa shkencëtarë besojnë se ka arritur në një nivel të ri të ngrohjes globale. Por kjo nuk nënkupton që çdo vit do të thyejë një rekord por me shumë gjasa bota ka hedhur hapin drejt një niveli të ri super ngrohje.

Shqipëria, ashtu si shumë vende të globit, përjetoi gjatë 2016-tës temperatura ekstremisht të nxehta, që thyen rekorde historike veçanërisht në muajt e verës. Stinët e verës të viteve 2003, 2007 dhe 2012 janë të klasifikuara si në Shqipëri, ashtu dhe në Europë si vera shumë të nxehta.

Konkretisht, në vitet 2003, 2007 dhe 2012 janë shënuar temperatura maksimale ditore mbi 41°C ndërkohë që vera e 2015-tës dhe 2016-tës shënuan temperatura ditore mbi 42 °C, vlera këto të matura në hije, sipas standarteve botërore të matjeve meteorologjike. Në terrene të zhveshura nga bimësia apo në sipërfaqe të asfaltuara, temperaturat janë ngjitur disa gradë mbi 42°C.

Temperaturat e larta, së bashku me thatësirën dhe reshjet kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në një nga sektorët më jetikë të ekonomisë: në bujqësi. Sipas raporteve të Bankës Botërore, bujqësia është ndër sektorët më të ndjeshëm në Shqipëri ndaj ndryshimeve klimatike dhe pa një plan të qartë të politikave bujqësore në përshtatje me ndryshimet e klimës, jetesa e zonave rurale është në risk.

Falë ndryshimeve klimatike, disa zona do të vazhdojnë të vuajnë pasojat e ndryshimeve ekstreme të motit si i nxehti apo breshëri. Kushtet e papritura të motit vit pas viti, e rrezikojnë seriozisht sektorin, çka reflektohet menjëherë në ekonomi, duke bërë që ajo të tkurret nga ditët e nxehta./AgroWeb.org