Metodat e Mira Për Tharjen e Frutave në Shtëpi

1.1k 0

Koha është shumë e mirë për të tharë frutat me duart e tua në shtëpi.

Gjithashtu edhe kjo periudhë sjell disa produkte që më vonë do të mungojnë në treg.

Qëllimi i tharjes është krijimi i frutave dhe perimeve të thata, të cilat mund të ruhen në temperaturë ambjenti për disa muaj.

Procesi i tharjes pengon rritjen e mikrobeve në produktin e tharë.

AgroWeb.org do t’ju shpjegojë si bëhet tharja e produkteve të ndryshme ushqimore në kushtet artizanale në shtëpinë tuaj.

Tharja e frutave bëhet në ambjente të ajrosura, të thata, të ngrohta.

Që ajrosja të jetë sa më e mire, mund të përdorni kanate rrjetash që luajnë rolin e vend-tharjeve.

Këto vendosen disa centimetra mbi tokë, idealja është të vendosen në lartësinë e tavolinës.

Përpara tharjes, lajini fruta dhe hiqni nga to pjesët e dëmtuara.

Disa fruta është mire të priten më dysh si kumbullat, fiqtë ose në feta si mollët, dardhët dhe pjeshkat që të thahen më shpejt.

Të njëjtën procedurë mund të ndiqni edhe me tharjen e portokalleve dhe limonëve nëse dëshironi.

Mirë është që frutat të vihen për tharje në mëngjes. Frutat hapen bollshëm në vendin e tharjes, pa cikur me njëra-tjetrën.

Ditët e para, frutat përzihen dhe kthehen nga ana tjetër shpeshherë gjatë ditës, mundësisht çdo orë.

Kjo bëhet që tharja të kryhet sa më shpejt dhe në mënyrë të njëtrajtshme për të gjithë sipërfaqen e tyre.

Frutat mund të mbulohen me napë ose rrjetë që të pengojë ngacmimin nga insektet.

Tharja direkte në diell shkakton humbje më të mëdha të vitaminave C dhe A, si dhe çngjyrosje të frutave të kuqe, të verdha prandaj këshillohet tharja në hije e këtyre. Hija mund të krijohet duke vënë një strehë mbi raftet e tharjes.

Gjatë natës frutat mbulohen me pëlhurë ose futen në mjediset e brendshme që të mos marrin lagështirë.

Sa më shumë të fryjë ajri, sa më i thatë të jetë moti, sa më i nrgrohtë ajri, aq më shpejt thahen frutat.

Zakonisht për 4-5 ditë procesi i tharjes do të ketë përfunduar. Për të kuptuar nëse janë tharë marrim disa prej tyre dhe i shtypim me dorë.

Nëse në dorë nuk mbetet lagështi dhe frutat nuk ngjiten pas dorës, kur e hapim grushtin, kjo do të thotë se tharja ka përfunduar.

Frutat pasi janë tharë duhen ruajtur në vende të mbyllura që të mos thithin lagështirën e ajrit./AgroWeb.org