Midhjet shqiptare na ngelen në derë

1.2k 0

Që pa gdhirë, Husein Mane së bashku me djemtë e tij mbërrin në lagunën e Butrintit. Asgjë nuk pipëtin, përveç zhurmës nga dihatjet e peshkatarëve që bëhen gati për të hedhur rrjetat në ujin e qetë të lagunës. Me një qetësi tipike prej peshkatari, Mane krejt i pashqetësuar pret që në rrjetë t’i bien midhjet e Butrintit. Ka një jetë që merret me këtë punë dhe pritja ia ka skalitur tiparet në fytyrë.

“Kam një jetë që merrem me midhjen e Butrintit”, thotë Mane për AgroWeb, me krenarinë e një sarandioti 24 karatësh, që me midhjen ka lidhur jetën dhe biznesin. “Kërkesa për midhje është shtuar, pasi më në fund njerëzit kanë filluar t’ia dinë vlerën”.

Biznesi i Manes, përfaqëson atë që shumë ekspertë ndërkombëtarë, biologë detarë dhe disa peshkatarë thonë se do të jetë e ardhmja e industrisë së frutave të detit në Shqipëri.

Me rritjen e kërkesës për fruta deti, edhe pse ligjvënësit kanë vendosur rregulla të forta për kapjen e disa lloje midhjesh si dateri (midhje të egra që në shqip njihen si “shpuesja e shkëmbit”), studiuesit sërish po përpiqen të gjejnë mënyra për ta zhvilluar akuakulturën në vend.

Në një studim të fundit të publikuar nga Universiteti i Harvard për Shqipërinë, studiuesit kanë hedhur një dritë shprese mbi potencialin e midhjeve të Butrintit, të cilat për më shumë se 20 vite janë shpallur “non grata” nga tregu evropian.

Në vitin 1994, pas rënies së kolerës, Bashkimi Evropian ndaloi eksportin e të gjithë produkteve që vinin nga sektori i peshkimit, duke bërë që prodhimi i midhjeve në Shqipëri të shkojë në kolaps.

“Para viteve ’90 industria e midhjeve në Sarandë ishte ndër më të fuqishmet dhe më të organizuarat. Madje ne eksportonim dhe në Francë në atë kohë, duke qenë se është dhe një nga vendet me kërkesën më të lartë për midhje. Në atë kohë ne arrinim të prodhonim deri 6000 ton midhje, ndërkohë që sot mezi arrijmë të kapim 3.000-3.500 ton”, rrëfen për AgroWeb, Husein Mane.

Midhjet janë prodhuar kryesisht në lagunën e Butrintit, që nga viti 1960 me një prodhim vjetor që shkonte nga 2,000, deri në afro 5,000 ton në vitin 1989.
Një sasi e vogël midhjesh, prej jo më shumë se 500 ton kultivohet edhe në zonën e Shëngjinit.

Ndërkohë që premisat e prodhimit të midhjeve në Shqipëri mund të shkojnë deri në 8,000 ton në vit. Një shifër, e cila gjithsesi është e vogël po të krahasohet me më shumë se 300,000 ton midhje që prodhohen në Mesdhe dhe në vende të tjera të Evropës.

Ndaj dhe teoria konspirative se midhjet e Shqipërisë mund të jenë ndaluar për shkak të konkurrencës me midhjet e Italisë apo Greqisë, ka pak të ngjarë të jetë e vërtetë.

Kryesisht tregëtimi i midhjeve bëhet në informalitet. Në lagunën e Butrintit janë të licensuar vetëm 25 fermerë. Duke qenë se prodhimi është shumë i vogël për ta bërë biznesin fitimprurës, autoritet lokale janë skeptike për ta zgjeruar atë dhe për të rritur prodhimin dhe forcuar standardet e sigurisë ushqimore.

Por, sipas Zyrës së Ushqimit dhe Veterinarisë pranë Komisionit Evropian, çështja e ndalimit të midhjeve shqiptare ka një arsye tjetër. Në auditet e bëra në vitin 2007 dhe 2011, ata e vënë theksin tek mangësitë, si në implementimin ashtu dhe në kapacitetet teknike. Këto probleme ndikojnë në arritjen e standardeve, të cilat sigurojnë që prodhimi i midhjeve në vend, e në mënyrë të veçantë në lagunën e Butrintit, të jetë i sigurtë për konsum.

Auditi i vitit 2011, thotë se qeveria ka bërë progres që nga viti 2007, por që sërish nevojitet shumë punë në lidhje me sigurinë ushqimore, para se ndalimi i midhjeve shqiptare për tregëtim në BE të hiqet.

Laboratori aktual nuk është në gjendje për të kryer disa nga testet që BE-ja kërkon, ndërkohë që transporti i mostrave është i ngadaltë, duke lejuar rritjen e mikroorganizmave dhe dëmtimin e testeve.

Përveç kësaj, inspektimet nuk i përmbushin standardet për formalizimin dhe dokumentacionin. Sipas rregulloreve të Bashkimit Evropian, procesi i pastrimit mund të ndodhë vetëm kur ujërat e lagunës të klasifikohen si zonë “B” nga Ministria e Bujqësisë (proces që është kryer). Kërkesa tjetër është që inspektorët të jenë të gatshëm të përgjigjen menjëherë për të ndaluar një grumbullim të rrezikshëm të midhjes.

Tregu Evropian për midhjet

Tregu evropian i midhjeve mendohet të jetë afërsisht 600,000 ton në vit, nga të cilat 100,000 ton nuk janë me origjinë evropiane (vijnë nga importi). Ndërkohë që konsumi i midhjeve varion në vende të ndryshme të BE-së nga më pak se 200 gram për person në gati 4 kg për person.

Siç tregojnë dhe numrat, Bashkimi Evropian është një prodhues i madh i midhjeve, ku çdo vit prodhohen gati 500,000 ton. Tre vende evropiane prodhojnë më shumë se dy tëeuml; tretat. Spanja është prodhuesja më e madhe (mbi 200,000 ton në vit), e ndjekur nga Franca (80,000 ton në vit) dhe Italia (65,000 ton në vit). Por wdhe importi i midhjeve është relativisht i lartë, çka hap dritën jeshile për prodhues të vegjël si vendi ynë.

Edhe pse të eksportosh midhje në BE është shumë e vështirë. Momentalisht vetëm një numër i vogël vendesh jashtë BE-së mund të eksportojnë në kontinentin e vjetër.

Kjo nuk është për të na tërhequr mbrapa, por përkundrazi për të përmbushur standardet e për të bërë që më në fund pas më shumë se 20 vitesh midhjet e Butrintit të kalojnë kufirin për në BE./AgroWeb.org/