Perimet shqiptare, një minierë e artë

380 0

Që bujqësia është kthyer në trend, në një minierë ari, kjo është e dukshme. Faktuar edhe nga shifrat në rritje. Viti 2015 duket se ka qenë një vit me bereqet për bujqësinë shqiptare. Prodhimtari që po kap rekorde në rritje, shtim të sipërfaqeve të mbjella, rritje të punësimit dhe shpërthim të numrit të ndërmarrjeve të reja. Raporti më i fundit i INSTAT flet për një rritje prej 8.4 % të prodhimit të perimeve në vitin 2015.

Sipas statistikave të publikuara nga Instituti i Statistikave, në vitin 2015 u prodhuan 1.030.000 ton perime nga 950,000 ton në 2014, ndërsa sipërfaqja e mbjellë është shtuar me 1.6%. Pjesa më e madhe e prodhimit vjen nga zona e Fierit, e cila prodhoi rreth 35 % të totalit të perimeve.

Prodhimi i bimëve të arave ndikohet kryesisht nga kulturat që janë me peshë në këtë sektor si perimet, drithërat dhe patatet.

Prodhimi i patateve në vitin 2015 ishte 245.000 ton, duke shënuar një rritje me 2,1 % në krahasim me një vit më parë. Niveli më i lartë i prodhimit të patates u arrit në qarkun e Korçës me 65.439 ton, e pasuar nga qarqet Fier me 33.273 ton dhe Elbasan me 32.457 ton.

Numri i rrënjëve të drufrutorëve ka pësuar rritje në vitin 2015 në krahasim me vitin 2014. Konkretisht, kjo rritje për pemët frutore ka qenë 1,2 %, për ullinjtë 2,57 %, agrumet 6,83 %, pjergullat 0,6 % dhe sipërfaqjet me vreshta 0,5%.

Prodhimi i agrumeve në vitin 2015 ishte 30.000 ton duke shënuar një rritje prej 42,8 % krahasuar me një vit më parë. Niveli më i lartë i prodhimit të agrumeve u arrit në qarkun e Vlorës me 15.668 ton.

Gjatë vitit 2015 prodhimet blegtorale nuk kanë patur luhatje të theksuara krahasuar me vitin 2014. Në terma vjetorë prodhimi i qumështit gjatë viti 2015 është ulur me 0,2 %, prodhimi i mishit është rritur me 1,9 %, dhe prodhimi i vezëve është ulur me 0,6 % krahasuar me vitin 2014.

Rritja e cilësisë së prodhim po jep efektet e saj pozitive në eksport, e gjithashtu po ndikon në ekonomi. Ka një rritje progresive të konsumit të produkteve shqiptare në vend e kërkesë të lartë në tregjet ndërkombëtare.

Gjatë vitin 2015 eksportet kanë pësuar një rritje me rreth 50%, me bimët medicinale dhe fruta-perimet si produktet më të eksportuara, të cilat në fakt përbëjnë gati dy të tretat e të gjithë vlerës.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, produktet bujqësore janë regjistruar në vlerën e 10.5 miliardë lekëve, nga 8.1 miliardë lekë që kanë qenë gjatë vitit 2014.

Por rritje nuk është shënuar vetëm në vlerë monetare, por edhe në atë sasiore, nga 52.4 mijë ton, në 83 mijë ton perime të eksportuara.

Një nga sfidat më thelbësore të sektorit mbeten siguria ushqimore dhe financimi, të cilat janë kyçe për të siguruar rritjen dhe si një mundësi për t’u hapur ndaj tregjeve të reja evropiane në të ardhmen.

Në vitin 2015, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë të siguruara nga Agroweb, domatet kanë pasur gati një dyfishim të eksporteve nga 34.000 ton në 2014 në 57.000 ton në 2015, duke qenë një pikë e fortë e eksporteve. Të cilat në total kanë pasur rritje, përkatësisht me 30 dhe 31% më shumë se një vit më parë.

“Bujqësia rriti kontributin e saj në ekonomi duke siguruar vetëm nga eksportet rreth 4 miliardë leke më shumë se një vit më parë”, është shprehur Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti

Shqipëria është një vend i pasur. Shqiptarët kanë fatin të gjenden mes një game të larmishme produktesh. Rritja e cilësisë dhe standardeve mbetet një sfidë, për të cilën po investohet fort. /AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.