Gripi është përhapur masivisht kryq e tërthor në vendin tonë duke gjunjëzuar mijëra vetë, kryesisht fëmijë e të moshuar.

Kjo sëmundje ka arritur nivele të larta edhe në shumë vende të Evropës, Shteteve të Bashkuara e përtej.

Autoritetet shëndetësore raportojnë për një numër të lartë shtrimesh në spital, veçanërisht në javën e parë të Shkurtit.

Ky grip renditet në mbarë botën mes gripërave më të këqinj, që kur autoritetet globale nisën të matin intensitetin e sëmundjeve në vitin 2000.

Gripi Në Shqipëri – 23 Mijë Në Javë

Gripi që ka shpërthyer edhe në vendin tonë nuk është aq i lehtë sa mendohej. Ne kulmin e epidemisë mjeket tregojnë se karakteristika e AH1N1 janë komplikacionet e rënda në rrugët e frymëmarrjes dhe pneumonitë qe po shkakton.

Mbi 23 mijë raste me grip janë regjistruar javën e fundit në vendin tonë. Shqipëria është një ndër dy shtetet në Europë me intensitet të lartë të gripit sipas OBSH, ndërkohë mjekët thonë se nuk kanë munguar rastet e komplikuara.

Shqipëria dhe Luksemburgu janë dy shtetet që Organizata Botërore e Shëndetësisë i rendit me intensitet shumë të lartë të gripit në Europë.

Kjo pasi ndryshe nga viti i shkuar në vend po qarkullojnë katër viruse, dy të tipit A dhe dy të tipit B. Ndërkohë vaksina thonë mjekët nuk ka shfaqur efektivitetin e pritshëm.

A Mund të Trajtohet Gripi në Shtëpi?

Ajo që mund të bëni është që të prisni dhe të jeni të duruar deri sa simptomat të kalojnë.

Përpiquni të pushoni sa më shumë që trupi të marrë fuqi.

Qëndroni ngrohtë dhe pini sa më shumë ujë, çajra dhe lëngje.

Merrni paracetamol e vitamina për të ulur temperaturën, trajtuar dhimbjet dhe lëngimet e trupit.

Nëse jeni shtatzënë ose mbi moshën 65 vjeç, duhet të vizitoheni nga një mjek specialist.

Tek ky i fundit duhet të shkoni edhe nëse keni dhimbje kraharori dhe vështirësi në frymëmarrje.

Nëse simptomat nuk përmirësohen pas një jave, është e udhës të shkoni tek mjeku.

Klikoni këtu për kurat natyrale kundër gripit.

A Është Gripi Një Sëmundje Ngjitëse

Gripi shpërndahet lehtë dhe shumë shpejt nëpërmjet tështimës, kollës ose të folurës përballë dikujt që është i sëmurë.

Si çdo sëmundje, edhe gripi ka një periudhë inkubimi (nga ekspozimi deri tek shfaqja e simptomave ) që zgjat nga 24 orë deri në 4 ditë.

Pas shfaqjes së simptomave të rriturit kanë aftësinë të të ngjisin gripin në harkun kohor nga pesë deri në 10 ditë.

Fëmijët me grip kanë aftësinë të të ngjisin gripin edhe për më shumë se 10 ditë.

Sa Pritet Të Zgjasë

Spitalet universitare në Europë kanë nisur një analizë të detajuar për këtë grip.

Ndërkohë që mjekët në vendin tonë parashikojnë rënie të numrit të sëmurëve vetëm në fund të muajit, ndaj apelojnë që situata të mos neglizhohet.

Ndryshe nga sa ishte parashikuar fillimi i epidemisë së gripit përfshiu vendin rreth dy javë më vonë, arsye kjo që mjekët mendojnë se ai do të jetë i pranishëm deri gjysmën e muajit mars./AgroWeb.org