Mjekët e Familjes po Ndjekin mbi 1 Mijë të Prekur me Covid-19 me Simptoma të Lehta

321 0

Mjekët e familjes po ndjekin mbi 1 mijë pacientë të prekur me Covid-19, por që ndodhen në shtëpi me simptoma të lehta, sipas protokolleve të përcaktuara.

“Është një punë e madhe që po bëhet nga mjekët e familjes. Janë më shumë se 1600 mjekë të angazhuar në gjithë territorin e Shqipërisë.

Në Tiranë, ku është dhe numri më i madh i të prekurve aktivë, mjekët e familjes po luajnë një rol kyç, për ndjekjen e ecurisë në rastet e pacientëve të prekur nga Covid-19, të cilët janë duke u trajtuar në banesë.

Më shumë se 1 mijë pacientë, janë duke u trajtuar dhe duke u ndjekur nga mjeku i familjes”, tha Manastirliu.

Gjatë inspektimit në qendrën shëndetësore nr.10, Ministrja e Shëndetësisë tha se ndjekja e pacientëve po kryhet sipas protokolleve të përcaktuara

Mbi 2500 Raste Aktive 

“Në të gjithë Shqipërinë janë mbi 2500 raste aktive.

Rreth gjysma e tyre janë me simptoma, pra janë duke u ndjekur nga strukturat tona të kujdesit parësor, sipas protokolleve të përcaktuara për qytetarët që ndiqen në mënyrë ambulatore dhe për ata që kanë nevojë të hospitalizohen atëherë lidhen direkt me 127 për të garantuar ndjekje të mëtejshme në kushte spitalore”.

Manastirliu theksoi se mjeku i familjes e ka në kohe reale informacionin për çdo qytetar të zonës së tij të mbulimit, që është i prekur nga Covid-19.

“Çfarë është e rëndësishme është që sot realizojmë në mënyrë elektronike kartelizimin elektronik të pacientëve, të cilët janë të dyshuar, kanë shenja, kanë simptoma të Covid-19, apo janë raste të konfirmuara me Covid19 dhe terapitë e tyre të mjekimit”.