Mjekët: Testimet të Domosdoshme për Mbajtjen nën Kontroll të Pandemisë

356 0

Doktoreshë Valbona Selimaj, anëtare e Komitetit Shkencor Pediatrik të COVID-19 në Belgjikë tha për Euronews Albania se testimet janë të domosdoshme për vendosjen nën kontroll të pandemisë dhe se të dhënat shkencore të përpunuara deri më sot janë inkurajuese për sa i përket rasteve të infektimit të fëmijëve.

“Është vënë re se fëmijët nuk e transmetojnë virusin njësoj si të rriturit, rastet e fëmijëve që sëmuren rëndë janë tejet të rralla. Prindërit nuk duhet të kenë frikë t’i dërgojnë fëmijët në shkolla dhe aktivitete, sepse gjatë kësaj periudhe ajo që iu ndodhi fëmijëve ishte një ndërprerje drastike e zhvillimit të tyre për një kohë shumë të gjatë. Frika, ekspozimi ndaj ekraneve, dhuna, apo avancimi i një sëmundjeje të padiagnostikaur duhen ndaluar, sepse ata janë një pjesë e shoqërisë që po ndëshkohen jashtëzakonisht dhe nuk bëjnë pjesë as në transmetimin e sëmundjes ashtu siç mendohej më parë,” – u shpreh Selimaj, e cila ka kryer studimet për infeksiologji në Oksford.

Gazetarja Esmeralda Mulaj e pyeti mjeken shqiptare rreth testimeve, se sa rëndësi kanë ato dhe se cila është praktika belge. Ajo u përgjigj se “testimi është kryesor në luftën ndaj pandemisë”.

Testet

“Që prej shpalljes së pandemisë, OBSH bëri thirrje që testimi duhet të ishte kryesor. Testimet janë të domosdoshme, madje tani të gjithë shkencëtarët po mundohen që të krijohen dhe teste të shpejta të quajtur si Rapid-test,” – u shpreh Selimaj, e cila u ndal më pas edhe në çështjen e infektimit me COVID-19 nëpër spitale.

“Kryesorja për të kufizuar infeksionin në spitale është që çdo pacienti t’i bëhej testimi dhe të shihej përmes një skaneri mushkërish nëse kishin shenja infeksioni ose mbartje të simptomave të COVID-19,” – u shpreh Selimaj teksa më tej tregoi përvojën belge.

“Epidemia në Belgjikë arriti pikun më 12 prill dhe këtu kishte një vonesë (në marrjen e masave) dhe më pas çdo gjë u ndalua për 2 muaj, të gjithë pacientët që hynin për një rast urgjent testoheshin dhe u bëhej një skaner mushkërive. Belgjika nuk ka qenë një rast suksesi si disa shtete evropiane si për shembull Gjermania, por megjithatë vatrat e infeksionit kufizoheshin dhe pati ndjekje shumë serioze në spitale nga ekipet e higjienës,” – tha mjekja shqiptare.

Neglizhenca

Selimaj arsyetoi shtimin e rasteve të të sëmurëve me mosha të reja vijnë si pasojë e neglizhencës. Ajo apeloi që të tregohen të kujdesshëm pasi siç tha ajo, 1 në 1000 persona të moshave 20-40 vjeç sëmuret rëndë dhe mund të humbasë dhe jetën.

“Kjo duhet të kalojë si mesazh te të rinjtë sepse edhe ata rrezikohen, dhe në rast se nuk rrezikohen, ata sidoqoftë mbeten përcjellës të infeksionit ndaj të afërmve të tyre. Akoma në Shqipëri numri i viktimave është i konsiderueshëm dhe jo shumë i lartë, por me këtë prirje të rasteve të reja mund të humbasim edhe më shumë njerëz tanë të dashur,” – u shpreh Selimaj. Burimi:EuroNews