Moshat e reja tashmë përbëjnë kontingjentin më të madh të të infektuarve

345 0

Drejtori i spitalit “Shefqet Ndroqi”, Perlat Kapisyzi në një intervistë televizive, apeloi sot qytetarët që të mos neglizhojnë shenjat e COVID-19 dhe të trajtohen që me shfaqjen e shenjave të para.

Ai shpjegon se si bëhet ndarja e urgjencave në bazë të kodeve mjekësore.

“Kodi blu, ndihma jepet menjëherë, në kodin e kuq jepet për 15 minuta, ndihma nga mjeku dhe për kodet e verdhë për gjysmë ore, e kështu me radhë. Të shtruar aktualisht janë 220. Këtu janë të sëmurët shumë rëndë”, thotë ai.

Kapisyzi shton më tej se gjendja e pacientëve është e rëndë dhe apelon që të mos neglizhohet ardhja në spital.

“Mos e nënvleftësoni. Mos e neglizhoni COVID-in. Trajtohuni që në fillim të shenjave më të para. E rëndësishme është, kurrë pacientët nuk duhet të këmbëngulin të rrinë në shtëpi. Kjo është shumë e rëndësishme. Sepse mjekët e familjes përballen, ashtu siç jam përballur dhe unë nganjëherë që nuk dua ta marr mjekimin në shtëpi, nuk shtrohem në spital, etj., etj. Rënia e saturimeve nën 90 është shenjë prognostike e keqe për të cilën pacientët duhet të shtrohen urgjent në spital”, thotë ai.

Mes të shtruarve ka shumë të rinj në moshë. Kapisyzi thekson se, “edhe vendi ynë nuk bën përjashtim nga të gjithë vendet e tjera ku është parë që moshat e reja tashmë përbëjnë kontingjentin më të madh të të infektuarve, por duke ndryshuar dhe raportet e numrit të shtrimeve dhe në spitale, ku është rritur numri i pacientëve me moshë relativisht të re. Por ajo që është më e rëndësishme është që në këtë periudhë tek moshat e reja po shihet gravitet shumë i madh i COVID-19 në këta pacientë”.

“Më përpara moshat e reja e kalonin shumë lehtë, kurse tani numri i rritur shoqërohet dhe me gravitet të rritur, çka tregon që ndoshta dy janë arsyet. E para, sepse moshat e reja janë ato të cilat janë më aktive dhe frekuentojnë ambientet duke mos mbajtur dhe distancat. E dyta, do të thosha që tashmë në vendin tonë duhet të ketë hyrë virusi B117, që është virusi anglez”, shprehet ai.

Kapisyzi, shton se, “nëse më përpara thuhej se si virulencë, si gravitet sëmundje nuk ka, aktualisht po vërtetohet që ky virus ka edhe agresivitet më të madh sesa shtami i zakonshëm”./Burimi:ATA