Mundësi Për Një Thirrje të Tretë të Fondeve IPARD – Miliona Euro Për Agrobizneset

483 0

Skema e granteve IPARD, mbështetja financiare më e fortë për zhvillimin e bujqësisë shqiptare ka ngritur shumë pikëpyetje mbi agrobizneset që kanë aplikuar pranë këtij programi mbështetës dhe atyre që planifikojnë të aplikojnë në thirrjen e radhës.

Ergent Pire, Menaxher i Shërbimeve për Agrobiznesin në CBS dhe një prej ekspertëve këshillues të aplikantëve në skemën e granteve IPARD tregon për AgroWeb se çfarë po ndodh aktualisht me këtë proces.

Pire flet për mundësitë e hapjes së një thirrjeje të tretë për agrobizneset çka do t’i hapte rrugën rimëkëmbjes së sektorit të bujqësisë nga efektet e krizës së Covid 19.

“Efektet e Covid 19 në lidhje me thirrjen e parë dhe të dytë janë deri diku të parashikueshme, situata është e paqartë në lidhje thirrjen e tretë e cila parashikohej të lançohej në fillim vjeshtën e këtij viti. Kërkesat për rimbursim për një pjesë të investimeve të thirrjes së parë dhe kontraktimi i investimeve të thirrjes së dytë mund të përkojnë në të njëjtën kohë me periudhën e parashikuar për hapjen e thirrjes së tretë, duke krijuar një volum të papërballueshëm pune për AZHBR.

Shoqëruar kjo edhe me faktin që askush nuk mund të parashikoj saktë kohën e rikthimit në normalitet, situata në lidhje me mundësitë e një thirrje të tretë gjatë vitit 2020 bëhet akoma me e paqartë. Megjithatë, AZHBR qëndron besimplotë se do të jetë në gjendje të menaxhojë situatën për të pasur një thirrje të tretë për aplikime brenda vitit 2020.

Teksa u menaxhua me sukses thirrja e parë përsa i përket mosdjegies së fondeve, sfidë mbetet përmirësimi i ritmit të përthitjes së fondeve, duke pasur parasysh që janë akoma në dispozicion edhe 72 milion Euro. Sfide jo e lehtë duke pasur parasysh situatën në të cilën Shqipëria gjendet prej më shumë se një muaji tashmë” shprehet Pire.

Situta COVID 19 Nuk Cënon Investimet në Proces

Aplikantët që për arsye të ndryshme të imponuara nga situata e krijuar nuk mund ti përmbushin detyrimin kontaktual në lidhje me afatin e përfundimit të investimit, mund ti drejtohen AZHBR-së më një kërkesë zyrtare për shtyrje të afatit.

Pire bën të ditur se pas shqyrtimin të kërkesave AZHBR përgatit amendimet përktëse të kontratave ku parashikohen afatet e reja të përfundimit të investimeve. Parë në këtë kontekst mund të themi se situata e krijuar nuk cënon investimet në proces, por zgjat kohën e nevojshme për përfundimin e tyre.

Ndërkohë në thirrjen e dytë për aplikime i cila ishte e hapur gjatë periudhës 30 Tetor 2019 – 15 Janar 2020 u dorëzuan mbi 370 aplikime të reja, duke shënuar një rritje me rreth 20% krahasuar më thirrjen e parë. Pikpyetjet e ngritura në lidhje me aplikimet e thirrjes së dytë lidhen me mundësinë e AZHBR-së për të vlerësuar aplikimet dhe kryer vizitat në terren para kontraktimit të investimeve të reja në këtë situatë të pazakontë.

AZHBR shprehet se vijon procesin e punës në lidhje me të gjitha funksionet e saj administrative dhe institucionale, përfshirë vlerësimin e aplikimeve të thirrjes së dytë, megjithëse me kohë të kufizuar, kohë e cila përshtatet në përputhje me masat që merren nga qeveria.

Kontraktimi i Investimeve të Reja Mund të Shtyhet në Kohë

Pire thotë se “një lajm i mirë është fakti që tashme disa aplikant të thirrjes së dytë kanë marrë përgjigje zyrtare në lidhje me fatin e aplikimeve të tyre. Për tu ardhur në ndihmë aplikantëve AZHBR nuk do ti numëroj ditët e fatkeqësisë natyrore përsa i përket afatit të dorëzimit të dokumentave shtesë që kërkohen, në mënyrë që këta të fundit të mos penalizohen nga situata e krijuar. Pra, edhe për thirrjen e dytë efekti i situatës është vetëm shtyrje në kohë të vlerësimit dhe kontraktimit të investimeve”.

Këto fonde të cilat menaxhohen nga AZHBR dhe Autoriteti Menaxhues pranë MBZHR kanë si qëllim mbështetjen e investimeve për rritjen e konkurueshmërisë së agrobiznesit dhe përafrimit gradual më standartet e BE-së.

“Deri më tani janë kontraktuar 119 investime në bujqësi dhe zhvillim rural për një vlerë granti prej 22 milionë Euro dhe total investimesh 39 milionë Euro. Një pjesë e mirë e këtyre investimeve janë akoma në fazë zbatimi, dhe situata e krijuar nga Covid 19 e bën të vështire përfundimin e investimeve brenda afateve kohore të përcaktuar në kontratën e grantit” thotë Pire. /AgroWeb.org