Nisin Rreshjet e Para të Borës – Cilat Janë Zonat e Prekura dhe Moti Në Vijim

412 0

E ndërsa temperaturat vijojnë të ulen, në disa zona të vendit kanë nisur rreshjet e para të borës.

Pas një jave me rreshje intensive shiu, që shkaktoi edhe përmbytje në shumë zona të vendit, ulja e temperaturave tashmë po lajmëron nisjen e rreshjeve të borës.

Sipas Report TV, të cilit i referohet AgroWeb.org në Kukës dhe Korçë vjen sinjali i parë i ardhjes së dimrit.

Temperaturat e ulëta të cilat kanë karakterizuar motin përgjatë ditëve të fundit kanë sjellë reshjet e parë të dëborës në lartësitë mbi 1000 metra mbi nivelin e detit.

Si rrjedhojë maja e Gjalicës dhe e Gramozit u zbardhën nga dëbora.

Sipas parashikimeve meteorologjike, temperaturat e ulëta do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim dhe dëbora pritet të zbresë pas pak ditesh në zonat e ulëta.

Temperatura, erëra dhe stuhi të forta

Në Kukës, gjatë natës pati dhe erëra të forta që sollën edhe probleme  me energji elektrike.

Pesë fshatrat e Njësisë  Administrative të Shishtavecit, janë pa energji elektrike.

Burime te OSHEE, të cilave i referohen mediat Kukës thonë se shkak është bërë një defekt në linjën e transmetimit si pasojë e motit të keq ndërsa grupet e avarisë janë në punë për riparimin e defektit.

Ndërkohë shirat e ditëve të fundit kanë sjellë një përmirësim të lehtë të situatës hidrike në kaskadën e Drinit.

Sipas të dhënave të Korporatës Elektroenergjetike, niveli i ujit në basenin e Fierzës ka arritur në 268.5 metra, duke u rritur me 1 metër gjatë javës së fundit.

Megjithatë KESH nuk ka vendosur ende në punë agregatët e këtij hidrocentrali me qëllim akumulimin e sasisë së ujit për pjesën e mbetur të vitit.

Ulje temperaturash janë shënuar edhe në rajonin e Korçës, ndërkohë që në ditët në vijim pritet të vazhdojnë rreshjet e shiut. /AgroWeb.org