Shqipëria punon tokën, duke nxjerrë prej saj më të mirat që natyra ofron.

Fruta dhe perime të freskëta, plot aromë e shije prej natyre. E gjithçka e mirë që mund të prodhohet prej tyre, mjaltë e raki, reçelra e djathra, produkte me bazë prodhimet vendase, por edhe produkte artizanale, mblodhën bashkë në Tiranë mbi 400 fermerë në një panair të pazakontë, më të madhin në llojin e vet. Në panair u ekspozuan edhe produkte me bazë peshkun.

Të pranishëm ishin të rinj sipërmarrës në bujqësi, Agroindustri, Verëra, Raki, Agroturizëm, Fruta-perime, Blegtori, Produkte shtëpie – tradicionale etj.

Ky është panairi më i madh bujqësor, blegtoral, që hapi dyert për fermerë, blegtorë dhe sipërmarrës shqiptarë dhe atyre të trojeve shqiptare jashtë kufirit, si Kosova dhe Maqedonia.

Një fermë me kafshë të ndryshme e improvizuar pranë sheshit argëtoi dhe tërhoqi vëmendjen e fëmijëve të qytetit, të cilët rrallë u takon të shohin pamje të tilla të ndërthurrjes së prodhimeve vendase dhe jetës në fshat.

Fermerët dhe konsumatorët optimistë

“Shqipëria Punon Tokën” transformoi Sheshin “Skënderbej” përmes një atmosfere shijeje të vërtetë shqiptare.

Konsumatorët por edhe vet prodhuesit u shprehën pozitiv për cilësinë e prodhimeve dhe produkteve tradicionale si dhe për çmimet e arsyeshme gjithashtu.

“Çmimet janë të arsyeshme, prodhimet të mira, duken të freskëta. Sot bëmë Pazar këtu e jo tek tregu i lagjes” u shpreh një qytetar i cili mbante në duar çanta me fruta e perime e disa produkte të tjera vendase.

“Kemi parkun tonë të bletëve, përpunojmë mjaltin, por edhe qumështin e bletës, të cilin na e kerkojnë po aq sa mjaltin. Është i kontrolluar sipas analizave përkatëse. Kemi interes nga blerësit, që u dëshmua edhe në këto dy ditë gjatë panairit” u shpreh pronarja e një biznesi që merret me kultivimin e mjaltit.

Produkte e ëmbëlsira tradisionale si sheqerarja e Dibrës, ishin pjesë e ushqimeve të ekspozuara në panairin “Shqipëria Punon Tokën”

Pjesë e produkteve Made in Albania ishte edhe punimet artizanale, të cilat me veçantinë e tyre tërheqin jo pak vëmendjen e turistëve të huaj.

Jo vetëm prodhime shqiptare por edhe receta të spikatura

Produktet shqiptare që u ekspozuan, u përcollen tek njerëzit, nën skenografinë e vendit ku prodhohen.

Gjithashtu pranë këtij panairi ishte e organizuar një arenë të manifestimit të kulinarisë shqiptare ku mjeshtrat e kuzhinës dhe restorantet, ofruan mundësinë e degustimit të recetave më të spikatura.

Risi e këtij panairi ishte hapësira që i’u dedikua të rinjve dhe sipërmarrësve të rinj, në sektorin bujqësor dhe blegtoral./AgroWeb.org