Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk parashikon që vendet do të futin vaksinimin e detyrueshëm kundër COVID-19, tha sot zyrtarja e kësaj organizate Kate O’Brien.
“Ndoshta ka disa vende ose disa situata në vende ku rrethanat profesionale do ta kërkonin ose rekomandohet vaksinimi me forcë,” tha ajo, duke shtuar se spitalet mund të jenë një shembull i tillë.
Deri më tani 188 vende kanë nënshkruar iniciativën COVAX, e cila bënë thirrje që vendet më të pasura të investojnë në zhvillimin e disa vaksinave dhe infrastrukturës së nevojshme për shpërndarjen e tyre në të gjithë globin.
“Qëllimi ideal do të ishte që secili prej vendeve që regjistrohen në iniciativën COVAX të marrë doza të mjaftueshme të vaksinës për 20 për qind të popullsisë së tyre deri në fund të vitit 2021. Tani kjo është një aspiratë, jo një garanci. Por kjo do të krijonte mundësinë që çdo vend të paktën të vaksinonte punonjësit më të rrezikuar”, tha Dr. Drobac.
Kandidatët kryesorë të vaksinave mund të marrin një autorizim emergjent nga rregullatorët në javët e ardhshme, duke rritur shpresat se bota është në prag të një arritje të madhe në luftën kundër pandemisë.
Ndërkohë, mjekët thonë se është jetike që njerëzit të respektojnë masat për frenimin e përhapjes së koronavirusit./Burimi:TopChannel