OBSH: Shqipëria e rrezikuar nga Virusi Zika

550 0

Shqipëria renditet ndër 18 vendet Evropiane të rrezikuara nga virusi Zika, gjatë fundit të pranverës dhe fillimit të verës. Sipas të dhënave të ditëve fundit nga OBSH, virusi Zika përbën kërcënim edhe në Evropë ndërsa mund të përhapet edhe në Ballkan shumë shpejt me afrimin e sezonit të verës.

Përveç Shqipërisë në raportin e OBSH-së përfshihen edhe 17 shtete të tjera ku riskun më të lartë e ka Franca pasur nga Greqia, Italia, Turqia, Mali i Zi, Malta, Kroacia, Izraeli, Spanja, Monako, San Marino, Zvicra, Bullgaria, Rumania, Sllovenia, Gjeorgjia, Bosnja dhe Hercegovina.

Shqipëria përfshihet ndër vendet me risk të konsiderueshëm, pra më lart se vendet me risk të ulët.

Ky virus është ndërlidhur me mijëra raste të defekteve të rralla të lindjes, në të cilat foshnjet kanë kokë të pazakonshme të vogël. Kosideruar si një nga viruset që së fundmi po lidhet ngushësisht me ndryshimet klimatike, Virusi Zika transmetohet kryesisht nga mushkonja Aedes e njohur si mushkonja tigër.

Është vëne re shtim i rasteve të të prekurve me viruzin Zika në Evropë, ndërsa të dhënat flasin për ekzistencë të mushkonjës tigër, e lidhur me këtë virus, edhe në Shqipëri.

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Arjan Bregu në një intervistë të mëparshmë dhëne për AgroWeb tha se: ‘Mushkonja tigër nuk e mbart virusin por ka mundësi ta transmetojë atë. Të gjitha rastet në Evropë janë raste të importuara me virusin Zika dhe kjo lidhet me udhëtimet e shpeshta në Amerikën latine në shumë vende të Europës. Risku për Shqipërinë nuk është i lartë sot që flasim për shkak të udhëtimeve jo të shpeshta në Amerikën latine. Po kështu duhet të njohim me saktësi se sa e aftë është mushkonja jonë tigër për të transmetuar këtë sëmundje. Pra shqiptarët janë qytetarë të Europës dhe janë po aq të rrezikuar sa ata’

Në raportin ‘Mbrojtja e shëndetit ndaj ndryshimeve klimatike në Shqipëri’ thuhet se ‘Ndryshimi i klimës ka sjellë dimër të butë që ka favorizuar rritjen e bimëve tropikale edhe në Shqipëri dhe ka bërë të mundur shfaqjen e mushkonjave në lartësi mbi 400-500 m mbi nivelin e detit. Dimri është relativisht i shkurtër dhe i butë e i lagësht në afërsi të zonave të bregdetit. Vera zgjat shumë gjatë dhe është e nxehtë dhe e thatë.’

Prezenca e Mushkonjës Tigër në Evropë. Burimi: AFP

AgroWeb ka përgatitur një listë me Informacione të domosdoshme dhe këshilla bazuar në të dhënat e Komisionit Evropian:

Qytetarët që planifikojnë të udhëtojnë në vendet ku virusi është aktiv duhet patjetër të informohen mbi situatën e epidemisë në këto vende dhe rreziqet e mundshme.

• Duhet të merrni masa për të parandaluar pickimet në mjediset e brendshme apo të jashtme, veçanërisht gjatë orëve të ditës kur mushkonjat Aedes janë më aktive. Këto masa përfshijnë:

• Përdorni locionet anti-pickim në përputhje me instruksionet e përdorimit të tyre, shkruar në etiketë

• Mundohuni të vishni bluza me mëngë të gjatë dhe pantallona të gjata edhe gjatë ditës

• Pushoni në mjedise të mbyllura ose me ajër të kondicionuar, në të kundërt përdorni rrjetat mbrojtëse në dritare edhe gjatë orëve të ditës

• Gratë shtatzëna apo ato që planifikojnë një shtatzani është mirë të shtyjnë udhëtimet në vendet me rrezikshmëri të lartë, së paku deri në periudhën e pas lindjes.

• Gratë shtatzëna që planifikojnë të udhëtojnë në zonat e prekura dhe gratë shtatzëna që jetojnë në zonat e prekura duhet të konsultohen me mjekun e tyre dhe të ndjekin rreptësisht këshillat mjekësore për të parandaluar pickimin nga mushkonjat.

• Udhëtarët me imunitet të dobët apo me sëmundje të rënda kronike duhet të konsultohen me mjekun e tyre ose të kërkojnë informacion nga shoqëritë e udhëtmit përpara se të udhëtojnë, veçanërisht për masat parandaluese.

• Udhëtarët në zonat e prekura nga Zika dhe qytetarët evropianë që jetojnë në zonat e prekura duhet të kenë parasysh se përdorimi i profilaktikëve mbrojtës mund të zvogëlojë rrezikun e transmetimit seksual të zirusit Zika.

Për qytetarët që kthehen nga vende të prekura nga virusi Zika

• Gratë shtatzëna që kanë udhëtuar apo banuar në zonat e prekura nga virusi Zika duhet t’ua rrëfejnë këtë mjekut gjatë vizitave periodike, në mënyrë që gjithçka të vlerësohet dhe monitorohet në mënyrën e duhur.

• Me qëllim për të mbrojtur fetusin, udhëtarët meshkuj që kthehen nga zonat e prekura duhet të konsiderojnë përdorimin e profilaktikëve mbrojtës me partneret e tyre shtatzëna, deri në fund të shtatzanisë.

• Udhëtarët që shfaqin simptoma të ngjashme me sëmundjen e virusit Zika, brenda dy javësh pas kthimit nga një zonë e prekur këshillohet të kontaktojnë me mjekun.

Vendeve me një rrezik të lartë apo të konsiderueshëm, ku përfshihet edhe Shqipëria po u kërkohet që të marrin masa të forta për të ndaluar përhapjen e mushkonjave dhe për të reduktuar numrin e tyre, duke përfshirë inkurajimin e komuniteteve për të eleminuar ujrat e ndotur që mund të formojnë një terren të përshtatshëm mbarështimi të këtyre mushkonjave. Ekspertët e institucioneve shëndetësore duhet të jenë të trajnuar dhe të pajisur me mjetet e duhura për të zbuluar infeksionin Zika dhe raportimin e saj brenda 24 orëve.

Për AgroWeb, Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Arjan Bregu tha se në Shqipëri është ndërtuar monitorimi entomologjik i mushkojave por jo vetëm, për të parë dendësine e tyre dhe për të marrë masat perkatëse. Është ndërtuar programi i dezinsektimit për të gjithë vendin. Janë përforcuar kapacitetet laboratorike të diagnozës dhe po trajnohen mjekët dhe punonjësit shëndetesorë. Zika po shndërrohet në një kërcënim real./AgroWeb.org/