Panairi me Thesaret e Shqipërisë një Dimension i Ri për Turizmin

389 0

Mrekullitë e bregdetit shqiptar, maleve dhe alpeve unike, kanionet e rralla, ujëvarat e lumenjtë tek fshatrat piktoreskë apo edhe kulinaria tradicionale.

Të gjitha hiret e Shqipërisë sollën një tjetër dimension turistik, në Panairin Mesdhetar të Tiranës, i cili u çel sot dhe do të vijojë edhe gjatë ditës së nesërme në Expocity, Tiranë.

Mbi 100 ekspozues nga agjenci turistike, të hotelerisë, kulinarisë, nga Italia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Turqia, krahas atyre vendase kanë sjellë një prezantim të veçantë të më të mirave që ata ofrojnë për turistët, duke ndërthurrur komoditetin, standardet, traditën dhe cilësinë.

Një Urë e Re për Bashkëpunimin Rajonal

Ky panair, punimet e të cilit do të jenë dy-ditor është një mundësi reale për forcimin e kapaciteteve të turizmit shqiptar ndërsa synon ngritjen e një ure bashkëpunimi rajonal me qëllim promovimin turistik të të gjitha vendeve të Ballkanit dhe më gjerë.

Të pranishëm në çeljen e panairit ishin Kryeministri z.Edi Rama, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, z.Blendi Klosi, Ministri i Bujqësisë, z.Niko Peleshi, përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të pushtetit vendor, përfaqësues të agjencive prestigjioze të huaja dhe vendase etj.

Duke vlerësuar maksimalisht rëndësinë e këtij panairi, kryeministri Rama ftoi jo vetëm sipërmarrjet dhe bizneset por edhe qytetarët që të kthejnë sytë nga agroturizmi ndërsa foli për mbështetjen financiare të qeverisë në zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori.

“Ky program do të mbështetet financiarisht si nga qeveria shqiptare edhe nga fondi i mbështetjes së KE-së, ndërkohë që deri javën e fundit të muajit do të bëjmë publik edhe aspektin tjetër, lehtësirat që do të krijojmë për të gjithë ata sipërmarrës, individë apo familje, që do të synojnë ndërtimin e strukturave të agroturizmit në gjithë hapësirën rurale të Shqipërisë”, tha Rama.

Nxitja e këtyre investimeve dhe përfshirja e sipërmarrësve dhe familjeve, sipas Ramës, “do të sjellë me patjetër krijimin e një efekti zinxhir për t’i dhënë një mesazh shumë të qartë mundësisë së rritjes të ekonomisë familjare në fshat”.

Të Gjithë Drejt Panairit

Përfaqësues të agjencive të huaja turistike u shprehën optimistë për nisjen e një bashkëpunimi afatgjatë rajonal çka do të sjellë një faqe të re në rritjen e numrit të vizitorëve për secilin shtet.

Në ditën e tij të parë, panairi u vizitua nga shumë qytetarë ndërkohë që fluksi i vizitave sa vjen dhe rritet ashtu si edhe interesi për të njohur më së miri atë çka Shqipëria por edhe vendet e rajonit ofrojnë si destinacione turistike.

Ky është panairi rajonal më i madh turistik i mbajtur ndonjëherë në Shqipëri dhe interesi i të gjithë aktorëve të përfshirë ashtu si edhe qytetarëve është jashtëzakonisht i lartë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.