Pse Duhet të Mbillni Bimë Bashkë me Fëmijët

295 0

Mbjellja dhe rritja e një bime apo një perimeje është një proces i këndshëm që mund të tërheqë vëmendjen e fëmijëve, sidomos në rastet kur ata shohin se si një farë rritet e zhvillohet në një produkt që preket me dorë dhe konsumohet. Zbuloni pesë arsyet pse AgroWeb.org ju sugjeron të mbillni dhe rrisni bimë, erëza apo perime bashkë me fëmijët tuaj.

Është argëtuese. Fëmijët tuaj do të përjetojnë mrekullinë e transformimit të një fare të vogël, në një bimë të cilën ata mund ta shohin të rritet. Ata mund të angazhohen në rritjen e bimëve, perimeve të ndryshme si domate apo kunguj, ose të mbledhin luleshtrydhet që kanë mbjellë vetë.

Është edukuese. Fëmijët shpesh nuk ia kanë idenë se prej nga vjen ose si rritet ushqimi që hanë. Ata do të befasohen kur të shohin se si rritet nëntokë karrota ose patatja. Duke u angazhuar në ujitje dhe rritje të perimeve dhe barishteve, ata do të bëhen më të përgjegjshëm dhe do të mësojnë mbi përkujdesjen.

Është e lehtë. Rritja e perimeve mund të jetë diçka e lehtë ose e komplikuar, në varësi të vendit ku do t’i mbillni ato. Duke qenë se në ditët e sotme, të paktë janë ata njerëz që jetojnë në ferma, e vetmja mundësi që kemi është të rrisim perimet në saksi ose në çdo enë të mundshme shtëpiake dhe kopshtarie.

Ju mund të krijoni kopështin tuaj personal duke mbjellë farat e perimeve dhe zarzavateve tuaja të preferuara siç janë erëzat e ndryshme, sallata jeshile, spinaqi e të tjera. Mundohuni t’i thjeshtësoni gjërat. Në rastin e domates, blini fidanë të vegjël dhe mos zgjidhni farat. Nëse nuk keni ambient të përshtatshëm, atëherë mbillni farat e perimeve së bashku në të njëjtën hapësirë ose enë duke krijuar një oaz bimësh dhe perimesh.

Është e shëndetshme. Së bashku me fëmijët tuaj do të keni mundësinë të mblidhni perimet në kulmin e pjekjes dhe vlerave ushqimore. Për më tepër, kur i mbillni vetë perimet, jeni të garantuar dhe të mbrojtur ndaj pesticideve dhe kimikateve.

I bën mirë tokës. Perimet e rritura në shtëpi kanë një shije më të mirë, por edhe nuk keni nevojë t’i transportoni, rrjedhimisht e mbroni tokën nga ndotja e lëndëve djegëse. Këto ushqime nuk kanë nevojë për paketim dhe për pasojë ju do të reduktoni ndjeshëm mbetjet./AgroWeb.org