Perimet e Gjelbra, Mburoja e Shëndetit të Mirë

1.9k 0

Perimet janë bërë të pandashme për konsumatorin shqiptar sepse i bëjnë mirë shëndetit. Megjithatë të paktë janë ata që janë të mirëinformuar mbi vlerat e jashtëzakonshme dhe specifike që perimet, sidomos ato me ngjyrë të gjelbër, kanë për shëndetin tonë.

Të gjitha perimet e marrin ngjyrën e tyre unike nga një pigment që quhet beta-karoten, kontributet e të cilit në shëndetin tonë janë të pazëvendësueshme.

Beta-Karoteni konsiderohet si një antioksidant dhe karotenoid. Rrjedhimisht, beta karoteni mund të krahasohet me luftëtarin e pamposhtur që lufton pambarimisht radikalet e lira që synojnë të pushtojnë organizmin. Në këtë mënyrë, beta karoteni ul rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe tumoreve.

Beta-Karoteni, sipas të dhënave të AgroWeb.org, transformohet në vitaminë A (retinol). Vitamina A mbron sytë, lëkurën, shëndetin e zemrës, ul kolesterolin, përmirëson funksionet imunitare, dhe parandalon rritjen e tumoreve. Ul ndjeshmërinë ndaj rrezeve të diellit dhe mbron fertilitetin mashkullor.

Gjithashtu Beta-Karoteni gjendet tek perimet me ngjyrë të gjelbër, të verdhë dhe portokalli. Por, në këtë artikull të AgroWeb.org, do të përqendrohemi vetëm tek perimet me ngjyrë të gjelbër, që renditen në vendin e parë në listën e ushqimeve të rëndësishme për njeriun.

A janë perimet me ngjyrë të errët më të mira se ato me ngjyrë të çelët?

Përgjigja është: Po. Ka të dhëna shkencore që provojnë se perimet me ngjyrë të gjelbër të errët përthithin më shumë dritë dhe sintetizojnë më shumë vitaminë. Sipas kërkimeve shkencore, sa më e errët ngjyra e perimes apo frutit aq më e lartë është edhe përmbajtja e beta-karotenit.

Disa nga barishtet dhe perimet me ngjyrë të gjelbër më të mira që mund të përmendim janë: spinaqi, kale, rukola, sallata jeshile etj. Më poshtë do të gjeni të renditura nga AgroWeb.org disa prej vlerave më të mira që mund të përftoni nga perimet dhe barishtet me ngjyrë të gjelbër.

• Perimet dhe barishtet e gjelbërta përmbajnë më shumë karoten, hekur, fibër, vitaminë C dhe K, më shumë kalcium dhe acid folik se sa simotrat me ngjyrë të çelët.
• Perimet dhe barishtet e gjelbërta përmbajnë karotenoidë si luteina ose zeaksanthina që luajnë një rol thelbësor në ruajten e shëndetit të syve.
• Luteina dhe zeaksanthina që gjenden tek perimet dhe barishtet e gjelbërta, parandalojnë sëmundjet e zemrës dhe tumoret dhe e mbrojnë organizmin prej tyre.

Me këto informacione, nuk po përpiqemi të ulim rëndësinë e perimeve me ngjyrë të gjelbër të çelët, ndaj edhe ato duhen përfshirë në dietën tuaj. Mësoni më poshtë për vlerat që do të përftoni nga të gjitha perimet dhe barishtet me ngjyrë të gjelbër.

Kontributi i barishteve të gjelbra në shëndetin tonë

• Përmbajnë pak kalori ndaj janë të mira për ruajtjen dhe mbajtjen nën kontroll të peshës.
• Përmbajnë një indeks të ulët të glicemisë dhe kanë shumë magnez që ndihmon në trajtimin e diabetit të tipit 2.
• Këto perime dhe barishte janë burime të mira të vitaminës C, acidit folik, magnezit dhe fibrës dietike. Ato kanë pak yndyrna por janë të pasura me zeaksanthinë, luteinë, beta kriptoksanthinë dhe beta karoten.
• Perimet dhe zarzavatet përmbajnë një bioflavonoid të njohur si kuercetina që është një burim i mirë antioksidantësh apo vetish kundër inflamacionit. Këto përbërës ndihmojnë në bllokimin dhe luftimin e substancave që shkaktojnë alergji.

Kontributi i perimeve të tjera të gjelbëra në shëndetin tuaj.

• Duke qenë se perimet me ngjyrë të gjelbër janë të pasura me vitaminë K, ato janë thelbësore për prodhimin e proteinës ostekalcinë që është e domosdoshme për shëndetin e kockave.
• Perimet me ngjyrë të gjelbër përmbajnë hekur dhe kalcium që janë të rëndësishme për organizmin.
• Perimet me ngjyrë të gjelbër i japin organizmit mikroushqyesit e nevojshëm
• Perimet me ngjyrë të gjelbër promovojnë lëvizjen e muskujve të aparatit tretës dhe lëvizjen e zorrëve.

Për ta përmbyllur, perimet me ngjyrë të gjelbër ofrojnë një larmi ushqyesish të rëndësishëm që e mbajnë të gjithë trupin të shëndetshëm./AgroWeb.org