Përmbytjet Zaptojnë Territorin e Shqipërisë

146 0

Fatkeqësia natyrore rikthehet teksa shiu i furishëm ka përfshirë një pjesë të mirë të Shqipërisë. 

Sipas të dhënave të siguruara nga AgroWeb.org situata paraqitet e rënduar në Shkodër, Lezhë dhe Gjirokastër.

Sipas informacioneve të marra nga Ministria e Bujqësisë, pas reshjeve përgjatë datës 7 dhe 8 nëntor, në disa rrethe të vendit ka pasur probleme, ku si pasojë, disa zona janë përmbytur.

Më poshtë të dhënat e AgroWeb.org mbi situatën, të siguruara nga Ministria e Bujqësisë:

Qarku Shkodër

Rreth 200 hektarë tokë gjenden nën ujë në Njësinë Administrative Bushat, në zonën e Urës së Dedë Gjon Lulit. Rruga nacionale nuk ka pasur probleme, ndërkohë që uji i është afruar Harkut të Bërdicës. Ndërkohë që lumenjtë Buna dhe Drini janë afër kuotave maksimale.

Përmbytja nuk është shkaktuar si pasojë e reshjeve në atë zonë, por e prurjeve. Deri tani nuk ka shtëpi apo biznese të përmbytura.

Hidrovoret dhe kanalet kulluese janë në funskionim të plotë, mjetet e mundshme janë në gatishmëri, ndërkohë që situata po monitorohet nga strukturat e Ministrisë së Bujqësisë.

Qarku Lezhë

Nga informimet që vijnë nga terreni, situata e rreshjeve dhe përmbytjeve në Qarkun Lezhë është si më poshtë:

Në Zadrimë kane rënë 64 mm shi, në Lezhë 52 mm shi, Bregun e Matit 60 mm shi dhe në Kurbin rreth 90 mm. Lumi Drin, në territorin e Zadrimes është në kuotë 1.50 nga 2.2 që është pika kritike. Ne Balldre, tek Hidrovori, kuata e kanalit kryesor është -2.15, nga -1.5 që është pika kritike. Në Tale, kuata eshte -1.8, nga -1 që është pika kritike.

Në Shllinza, kuota -1.5 nga -1 që është pika kritike dhe Droje të Kurbinit, kuota -0.7, nga -0.5 që është pika kritike.

Deri në këto momente nuk ka probleme me kanalet e ujrave te larta dhe aktualisht ka rreth 130 ha nën ujë, në Bregun e Matit (Spiten, Markatomaj, Tresh rreth 70 ha dhe Tale rreth 60 ha. Në Barbulloje rreth 50 ha, Balldre-Torovicë rreth 400 ha,

Zadrime (Baqel) rreth 50 ha. Probleme ka në Gjorm dhe Zheje të Bashkise Kurbin, ku ka përmbytje edhe të shtëpive, për shkak të shkarkimit të rezervuarit që administrohet nga Bashkia, si dhe te reshjeve të shumta që kanë rënë. Ne zonen Fushe-Kuqe ka rreth 90 ha tokë nën ujë.

Gjatë natës ka patur ndërprerje të shkurtra të energjise elektrike, në orën 02 dhe 05 të mëngjesit, përkatesisht 5 minuta dhe 20 minuta.

Të gjithë specialistët e strukturave të Drejtorisë së Bujqësisë ndodhen në terren.

Qarku Gjirokastër

Në Qarkun Gjirokastër, si pasojë e reshjeve të dy ditëve të fundit, janë të përmbytura rreth 130 hektarë tokë. Nga këto, 120 në Njësinë Administrative Gjirokastër. 30 hektarë në Lazarat, 30 hektarë në Antigone dhe fshatin Arshi Lengo, 60 hektarë në Lunxhëri (zona Topullaraj-Valare) dhe 10 hektarë në Libohovë.

Sipas të dhënave, në rrethet Tepelenë dhe Përmet nuk ka pasur probleme, ndërkohë që reshjet e shiut janë ndërprerë. Ministria e Bujqësisë deklaron se të gjitha strukturat ndodhen në gatishmëri, ndërsa nuk ka të përmbytura banesa apo objekte të tjera./AgroWeb.org